Aktualitet Rama: Major Tanushi u nda jeta si dëshmor i atdheut

Rama: Major Tanushi u nda jeta si dëshmor i atdheut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Majorit Klodian Tanushit.

“Ai u nda nga jeta si një dëshmor i atdheut e shembull i lavdishëm i sakrificës së Forcave tona të Armatosura”, shkruan kreu i qeverisë në rrjetin social Twitter.

“Flamuri kombëtar në zi. Fatkeqësisht edhe Klodian Tanushi,ushtaraku ynë i angazhuar në misionin e NATOs ku humbi jetën dëshmorja Zarife Hasanaj, s’u mbijetoi dot plagëve!Ai u nda nga jeta si një dëshmor i atdheut e shembull i lavdishëm i sakrificës së Forcave tona të Armatosura”.

Major Tanushi, ndërroi jetë ditën e premte në Letoni, pasi prej 6 Majit ishte në spital pas shpërthimit të disa municioneve ku mbeti e vdekur edhe nëtetarja Zarife Hasanaj.

Major Klodian  Tanushi i lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”

Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni,  Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.

Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.