Politika Rama me finalistët e “Deputetit që Duam”: 25 Prilli, ndeshje vendimtare për...

Rama me finalistët e “Deputetit që Duam”: 25 Prilli, ndeshje vendimtare për Shqipërinë

Partia Socialiste ka përzgjedhur disa emra përmes platformës “Deputeti që Duam”. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, tha se zgjedhjet e 25 Prillit janë një ndeshje ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë të bëjë përpara.

Kryeministri tha se gjatë mandatit të fundit, qeveria është përballur me tërmetin dhe pandeminë, megjithatë shumë prej punëve të nisura janë çuar përpara. Kreu i qeverisë deklaroi se grupi aktual parlamentar do të jetë boshti i skuadrës së re që do të krijojë për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Edhe pak ditë na ndajnë nga zbritja në fushës e skuadrës tonë për ndeshjen e 25 Prillit. Është një ndeshje vendimtare për Shqipërinë në mes të një lufte botërore. Kjo ndeshje nëse do të vazhdojmë te ecim përpara apo të zhytemi përsëri. Ne kemi bërë shumë. Më shumë se të gjithë ata që e kishin këtë detyrë para nesh. Nuk i kemi bërë mirë të gjitha. Ama besoj se kush arsyeton me mendje të kthjellët, nuk e diskuton se nuk jemi kursyer asnjë ditë. Unë si i pari i familjes së madhe kam bërë çmos për ta merituar çdo ditë nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë. Skuadra jonë kombëtarë po bëhet gati. Ne nuk kemi mungesë. Kemi më shumë lojtarë. Grupi parlamentar ka qenë solid dhe mbështetës për reformat vendimmarrjet e vështira dhe çuarjet përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës kombëtare të 25 Prillit”.

Megjithatë ai u shpreh se skuadra e PS-së duhet të jetë në lartësinë e sfidës së madhe të ripërtëritjes me lojtarë të rinj të cilët do të sjellin energji të reja.

“Në partinë tonë nuk ka vend për kasta të pandryshueshme as për piedestale. Ne na duhen deputetë që ambicien më të lartë të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve, pjesëmarrjen në parlament dhe kontributin sa më pozitiv më frymën e skuadrës. Për ndeshjen e 25 Prillit kemi krijuar një proces të ri duke e hapur derën për ata dhe ato që kanë ambicien të bëhen pjesë e skuadrës“, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se në total përmes platformës “Deputeti që Duam” kanë shprehur interes 1581 qytetarë. Prezantimin e kandidatëve të rinj, kreu i qeverisë e bëri përkrah kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.