Kryeministri Edi Rama në një takim me kandidatët socialistë në Durrës ka theksuar se vota për 11 Majin duhet të jetë për PS, pasi është e vetmja forcë politike që do ta çojë Shqipërinë në BE.
Rama shpjegoi për ata të cilët nuk e kanë kuptuar edhe njëherë rëndësinë e pasaportës europiane, ku thotë se nuk do të ketë më kufij dhe ne do të lëvizim dhe ndalojmë ku të duam pa na kërkuar llogari njeri se çfarë do bëjmë apo sa do të rrimë.
“PS është sot forca që do të fus Shqipërinë në BE dhe praktikisht nuk është se do të na e lënë ne këtë besim sepse edhe ne edhe PS nëse Shqipëria nuk është në BE mund të ndryshojë qasje. Mund të çohet dikush një ditë edhe të thotë “tani s’do rrimë të durojmë se çfarë bën prokuroria e çfarë bën gjykata, bjere shpatën mbrapsht t’i japim fund këtij muhabeti”. Ky është thelbi i 11 Majit. Por 11 Maji ka edhe komponentin e interesit personal. Nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë votim në Shqipëri, përveç atyre të ’92, nuk ka pasur votim që vota të ketë impakt të drejtpërdrejtë te çdo person. Në qoftë se këta këtu votojnë për Anin se do të na rregullohet ajo rrugica, do të përfitojmë diçka. Tek vota e 11 Majit çdo shqiptar që është në Durrës, në çdo qytetet të Shqipërisë, në çdo qytet dhe fshat të botës voton dhe merr mbrapsht diçka konkrete që është pasaporta europiane.
Ka disa që thonë ç’na duhet ne pasaporta e BE sepse nuk kuptojnë, ndoshta nuk janë të informuar se çfarë është pasaporta e BE. E cila në fakt si me magji, sa hap e mbyll sytë bën kalimin nga një qytetarë i dorës së dytë në këtë Europë në një qytetar i barabartë menjëherë. Që nga aeroporti kur shkon atje, çfarë je ti? Shqiptar, ik, dil, futu andej nga korridori tjetër dhe rri në radhë. Ndërkohë gjithë të tjerët që janë me ne në avion apo në traget avullojnë menjëherë, nxjerrin atë pasaportën edhe nuk ua hap njeri ta shikojnë dhe kalojnë. Sepse ata janë si një familje dhe kufijtë mes tyre janë njësoj si mes Tiranës dhe Durrësit. Ka ndonjë kufi mes Tiranës dhe Durrësit? Normal që ka, e shohim ne kur kalojmë? Normal që nuk e shohim. Ndërkohë që për ne është njësoj si të kishte një korridor atje dhe të thonë futu. Edhe fillon historia, ku po shkon? Kush të ka ftuar? Sa lekë ke me vete? Kur do ikësh? Pa u future akoma kur do ikësh, se ne kemi të drejtë të lëvizim me viza, po nuk kemi të drejtë të ndalojmë. Në qoftë se ne ndalojmë duhet të kesh leje qëndrimi, lejen s’ta jep njeri. Atëherë duhet të shkosh të kërkosh azil, ose të fshihesh dhe të jetosh si ilegal”, tha Rama.