Kryesore Rama: Me rëndësi që PS të mbajë e vetme timonin e qeverisë

Rama: Me rëndësi që PS të mbajë e vetme timonin e qeverisë

Në një takim elektoral në Lapardha të Beratit, kryeministri Rama ka theksuar se zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë një garë mes partive, por një zgjedhje mes së ardhmes dhe së shkuarës.

“Kjo nuk është një garë partiake, por për të zgjedhur nëse do të shkojmë përpara apo do t’i kthehemi së shkuarës”, ka thënë Rama.

Ai ka shprehur besimin se, pavarësisht bindjeve politike zgjedhja më 25 qershor është shumë e qartë.

“Vota juaj është votë e gjykimit për çdo skuadër, çfarë kanë bërë, çfarë thonë dhe kush mund ta bëjë më mirë Shqipërinë që duam”, ka thënë Rama.

Edhe pse është shprehur i vetëdijshëm se shumë mbetet ende për t’u bërë, kreu i qeverisë ka nënvizuar se PS e ka dhënë provën e ndryshimit.

“Ajo që ka bërë PS në këto 24 muaj është e mjaftueshme për të ndarë mendjen se kush është forca që bën shtet në këtë vend. Dhe kjo nuk ka asnjë dyshim, është Partia Socialiste e Shqipërisë. Siç luftuam dhe fituam për reformën në drejtësi dhe vettingun do të luftojmë për ekonominë dhe punësimin në 4 vitet e ardhshme, – ka pohuar Rama. – T’i japim fuqinë PS që të mbajë e vetme timonin e qeverisjes, pa pasur të tjerë në prehër”, ka shtuar Rama.