Politika Rama, mesazh për Dash Shehin: Portali i bashkëqeverisjes, si letrat e dikurshme...

Rama, mesazh për Dash Shehin: Portali i bashkëqeverisjes, si letrat e dikurshme nga populli

Kryeministri Rama sqaroi dhe njëherë “bashkëqeverisjen e tij”, variantin e komunikimit popull-qeveri nëpërmjet portalit shqipëriaqëduam.al, duke thënë se janë thjesht të dikurshmet e “letra nga populli” transformuar në kushte innovative.

Kjo, pas disa kritikave ndaj kësaj forme, deri dhe ironisë, ku veçoi ajo e deputetit Dashamir Shehi ditë më parë.

“Kam parë përsëri e përsëri komente për platformën. Është e habitshme që ata që i thonë vetes mendje të ndriçuara dhe e dinë veten për koka të mëdha nuk kuptojnë themeloren nga platforma. Platforma është transformimi përmes inovacionit i zyrave të kudondodhura gjithmonë në historinë e shtetit shqiptar, apo në çdo shtet, të marrëdhënieve me publikun. Platformat zëvendëson letrat drejtuar ministrinë, drejtuar agjencive, platforma zëvendëson radhët, për të marrë një kontakt, për të çuar fjalë më lart ku të shkelet një e drejtë.    

Kush na kritikon është i mirë se ardhur, por kush na përqesh meriton vetëm keqardhje dhe mëshirën tonë.

Janë me mijëra raste që nuk janë zgjidhur historikisht, asnjë qeveri e mëparshme nuk ua ka dhënë njerëzve këtë mundësi dhe nuk ka qenë e hapur për njerëzit. Qeveria jonë i jep fuqi njerëzve pa përkrahje, që nuk kanë mundur të ngrenë zërin dhe të dëgjohen”, tha Rama.

Komentet e tij u bënë në takimin javor të bashkëqeverisjes, ku u prezantuan disa raste që kanë marrë zgjidhje, falë ankesave në portalin përkatës.