Politika Rama: Mirënjohje vendeve të BE për solidaritetin me Shqipërinë

Rama: Mirënjohje vendeve të BE për solidaritetin me Shqipërinë

Pas vendimit të Bashkimit Europian për të organizuar një konferencë donatorësh në Tiranë që të mblidhen ndihma për Shqipërinë, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.

Shefi i qeverisë falenderon Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, dhe vendet anëtare të BE-së për solidaritetin e treguar.

“Mirënjohje Presidentes Von Der Leyen dhe liderëve të vendeve anëtare të BE për mesazhin e fortë të solidaritetit me Shqipërinë në këtë kohë dramatike e përcaktuese pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti. Faleminderit edhe për vendimin e mbajtjes së Konferencës së Donatorëve në Tiranë”, shkruan Kryeministri Edi Rama në Twitter.

Në mbledhjen e Këshillit të Europës një ditë më parë, u vendos që BE të organizojë konferencë donatorësh në Tiranë në Janar 2020 që të mblidhen fonde për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor.