Politika Rama ndan detaje nga takimi me Papën: Destinacion të ri pelegrinazhi për...

Rama ndan detaje nga takimi me Papën: Destinacion të ri pelegrinazhi për Nënë Terezën

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau detaje në lidhje me takimin që zhvilloi në Vatikan me Papa Franceskun, me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kreu i qeverisë, shkruan se Ati i Shenjtë foli me dashuri për shqiptarët dhe për rolin e tyre, si faktor paqeje në rajon.

Rama tregon se bisedoi me Papa Françeskun dhe për destinacionin e ri të pelegrinazhit që do të ngrihet në nder të shenjtores Nënë Tereza.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, shkruan kryeministri.