Politika Rama në Bari, pritet të diskutojë për menaxhimin e aeroportit të Vlorës

Rama në Bari, pritet të diskutojë për menaxhimin e aeroportit të Vlorës

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Bari të Italisë për të marrë pjesën në forumin ndërkombëtar “Ekonomia Blu e Mesdheut-Mundësi zhvillimi dhe bashkëpunimi”, i cili do të zhvillohet të enjten në mbrëmje.

Rama është pritur në Bari nga Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano dhe përfaqësues të aeroporti të Pulias.

Emiliano, në rrjetet sociale shkruan se me Ramën do të diskutojë për ekonominë dhe projektet në fushën e mjedisit.

Ndërsa mediat italiane shkruajnë se pjesë e vizitës është dhe diskutimi për bashkëpunimin për aeroportin e ri të Vlorë.

Shoqëria italiane ‘Aeroporti di Puglia’ pret miratimin e kryeministrit Edi Rama për të fituar të drejtën e menaxhimit të aeroportit të Vlorës.

Përpara prezantimit të projektit të aeroportit të ri nga kryeministri shqiptar të hënën, gazeta “Corriere della Sera”, zbuloi se shoqëria italiane ka paraqitur interesin dhe reagimi i parë mund të vijë gjatë panairit “Fiera del Levante”.

Qeveria shqiptare i ndërpreu negociatat me bashkimin e kompanive turke Cengiz, Kalyon dhe Kolin Construction) për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit, pasi palët nuk ranë dakord për garancitë që duhet të ofronte shteti shqiptar.

Kryeministri, Edi Rama, ka deklaruar se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se i Tiranës dhe do jetë shumë herë më shumë me standarde se ai i Rinasit, ndërsa punimet do të nisin në pranverën e vitit 2020.