Ekonomi Rama në Detroit për të joshur industrinë automotive amerikan: Një mision do...

Rama në Detroit për të joshur industrinë automotive amerikan: Një mision do të vijë në Shqipëri

“Një mision i Automation Alley do të vijë në Shqipëri për të parë nga afër, si dhe për të kuptuar më mirë gjithçka po ndodh me Ballkanin e hapur dhe me transformimin e tregut, në një treg të lirë dhe të madh që i jep Shqipërisë edhe një pozicion shumë më të favorshëm për investimet e huaja”, ishte lajmi i dhënë nga kryeministri Edi Rama nga Detroit, ku ndodhet për të takuar përfaqësuesit e industrisë automotive amerikane.

Kryeministri u takua me Drejtorin e Shërbimeve Ndërkombëtare dhe Partneriteteve strategjike Noel Nevshehir dhe përfaqësues të tjerë me të cilët bisedoi mbi mundësitë që ofron Shqipëria. Nevshehir deklaroi se është mik dhe dashamirës i Shqipërisë.

“Unë kam vizituar Shqipërinë më parë në vitin 1984. Shqiptarët janë njerëzit më të ngrohtë e më miqësorë që mund të takosh në këtë botë dhe unë kam udhëtuar në më shumë se 84 vende, por shqiptarët janë të mrekullueshëm. Ne këtu, në Automation Alley, në shtetin e Miçiganit, do të punojmë për të filluar organizimin e një misioni tregtar në Shqipëri dhe presim me padurim të vijmë për të përfituar nga miqësia dhe ngrohtësia që ka vendi për të ofruar. Edhe njëherë, jemi me fat që Amerika ka një mike kaq të mirë te Shqipëria dhe pres me padurim t’ju shoh të gjithëve kur të vij edhe vetë në Shqipëri vitin tjetër”, deklaroi ai, ndër të tjera.