Kryesore Rama: Në mandatin e tretë, revolucion në administratë. Flamuri i PS, jo...

Rama: Në mandatin e tretë, revolucion në administratë. Flamuri i PS, jo mbulesë nga drejtësia e re

Socialistët mblodhën Kongresin e jashtëzakonshëm në 30-vjetorin e themelimit të partisë. Forumi më i lartë drejtues i Partisë Socialiste u mbajt në stadiumin “Air Albania” dhe ishte konceptuar si një festë përvjetori, pas mandatit të tretë fitues në zgjedhje të Partisë Socialiste. Por në këtë kongres pati edhe surpriza, mes të cilave tërheqja e Gramoz Ruçit pas 30 viteve pozicione drejtuese në Partinë Socialiste.

Ruçi deklaroi se do të lerë mandatin e deputetit në datën 9 Shtator dhe do të tërhiqet nga pozicionet partiake, duke e lënë të paqartë nëse kjo tërheqje do të jetë nga jeta aktive politike apo ai do të mund të mbajë funksione të tjera shtetërore në të ardhmen.

Punimet e Kongresit nisën me himnin kombëtar, për të vijuar me një dokumentar të rrugëtimit në tre dekada të Partisë Socialiste që prej themelimit të saj.

Nuk munguan figura me peshë, kontribuues e deri tek themelues të PS-së. Një mesazh drejtoi edhe lideri historik i socialistëve, Fatos Nano, i cili krahas urimit për ditëlindjen e partisë përgëzoi të gjithë socialistët dhe kryeministrin Rama për mandatin e tretë qeverisës. Vetë Rama në fjalën e tij ka falenderuar Fatos Nanon, të cilin e quajti “babai i tij” politik që e vrau dhe e rigjeti sërish, ka falenderur Gramoz Ruçin për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa ka folur për projektet e qeverisjes socialiste në 4 vitet e ardhshme.

Rama: Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD, si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e DASH

Misioni i Partisë Socialiste për Kryeministrin Edi Rama në 4 vitet e ardhshme do të jetë për ta çuar Shqipërinë përpara “për t’u kthyer shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë”. Në fjalën e mbajtur gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të PS, Rama u ndal edhe tek opozita dhe shpallja e Berishës non grata nga DASH.

“Duhet t’iu ikim sherreve, t’u shmangemi konflikteve, fushata ka mbaruar, PS ka fituar. Duke fituar Shqipëria, PS të fitojë përsëri e përsëri. Ç’na duhet ne se çfarë bën PD? Ç’punë kemi ne si i bën zgjedhjet brenda saj, sesi kremton fitoren e zgjedhjeve të lira, pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura, pasi votat u numëruan…. Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit… ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do të korrësh thotë populli…“

Dorën e bashkëpunimit ia shtriu sërish Partisë Demokratike.

“Me PD do të debatojmë sa të mundemi kur të mundemi për politikat që i duhen vendit. Ndërsa me atë politikën që i ka ezuaruar nervat vendit, do të mbajmë në distancë higjienike…. Ne kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.

Rama prezanton Këshillimin Kombëtar: Dua që populli të dëgjohet të paktën një herë në vit

Kryeministri Edi Rama preku edhe disa prej çështjeve kryesore të programit të qeverisë gjatë mandatit të tretë. Rama prezantoi institucionin e ri, të quajtur Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët siç tha kryeministri do të kenë mundësi të dëgjohen.

“Do prek disa çështje madhore të mandatit të tretë që do t’i dëgjoni shumë shpesh në vijim dhe që lidhen me qasjen tonë politike. Fitorja e mandatit të tretë në raport me rivalët tanë, është një fitore që i përket historisë së PS dhe zgjedhjeve politike në Shqipëri. Ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, njerëzve, fëmijëve, etj. Mandatin e 3 do ta çojmë përpara që nga komunikimi publik, me rivalët politikë, por duke mos e harruar për asnjë çast, marrëdhëniet me publikun. Dua që mandati i tretë të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke i përfshirë ata në vendimmarrje përmes një institucioni të ri kombëtar, Këshillimi Kombëtar. Dua që populli të mos dëgjohet vetëm një herë në 4 vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit.

Këshillimi do të jetë një institucion këshillimi me shkrim. Të gjithë ata që duan të përfshihen të thonë me shkrim, po ose jo për çka ne shtrojmë si alternativa të mundshme. Ne do të përgatitemi që këtë vjeshtë të zhvillojmë këshillimin e parë kombëtar”.

Rama: PS nuk do jetë mbulesë për askënd që drejtësia e re do kërkojë hesape

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se flamuri i PS nuk do të bëhet mbulesë për asnjë zyrtar, qoftë ai ministër apo drejtor, nëse drejtësia e re do kërkojë hesape. Në fjalën e mbajtur në Kongresin e jashtëzakonshëm, kreu i qeverisë u shpreh se partia që ai drejton mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do ta çojë deri në fund. Fokusi në mandatin e tretë qeverisës Rama tha se do të jetë tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë.

“Të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e punës në administratë. Të çlirojmë sektorin publik. Të zhdukim arrogantët, parazitët dhe injorantët, që futën në zyra me garanci interesash. Të mos hamë shtetin pas shpine. Flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor, shef, nëse drejtësia e re do kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë, por mban përgjegjësi, për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: Ik sqarohu përpara drejtësisë me avokatin tënde, sepse PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit prej ne, por është mbështetësja, garantja e reformës në drejtësi. PS mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do e çojmë deri në fund. Të fokusohemi tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë. Ne duam të forcojmë shtetin ligjor. Kam parasysh tamin dhe tam tamin e përditshëm, që e ka bërë politikën një dallavere për shqiptarët”.

Rama: Mandatin e tretë, revolucion në administratë

Mandatin e 3 qeverisës Rama paralajmëroi për një administratë të çliruar nga punësimet jashtë kritereve të konkurrencës e meritës. “Unë s’kam asnjë motiv më të madh, për të dhënë edhe më shumë se sa ky, i çlirimit të ministrive, institucioneve, agjencive, departamenteve, bordeve, nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë e elektoratit, por gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS”.

“Të marrë vulë ligjore, detyruese për qeverinë dhe institucionet të cilat çdo qytetar që nuk merr përgjigje në kohë e cilësi, të ketë forcën të kërkojë përgjegjësi ligjore të drejtpërdrejtë. Një shumicë që nuk i përgjigjet me kohë e cilësi çdo qytetari, nuk e çon dot këtë vend në atë nivel ku Shqipëria kërkon të jetë, mund të jetë, dhe do të jetë. Ta ndajmë mendjen, po e dëshirojmë Shqipërinë në majën ku shqiptarët na zgjodhën për herë të tretë, ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë kritereve të konkurrencës e meritës. Ju takon të gjithëve këtu. Unë s’kam asnjë motiv më të madh, për të dhënë edhe më shumë se sa ky, i çlirimit të ministrive, institucioneve, agjencive, departamenteve, bordeve, nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë e elektoratit, por gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS. Faleminderit për duartrokitjet por më shumë dua të bindem gjatë rrugës se kjo për ju është vijë ndarëse, mes të qenit socialist apo tradhtar i PS. Hapa që keni hedhur me rekrutimet e mësuesve, policëve, shërbimin civil janë domethënëse shumë krahasur nga sa e nisëm. Por pamjaftueshëm nga maja. Do të shtyjmë shumë më fort, përpara duke mbështetur pa rezervë çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitë, arrogantë injorantë me interesa politike, të falura në emër të PS gjithmonë”.