Kryesore Rama në Novi Sad: Ballkani Perëndimor, si Shengeni brenda vitit 2021

Rama në Novi Sad: Ballkani Perëndimor, si Shengeni brenda vitit 2021

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e përbashkët me Vuçiç dhe Zaev në Novi Sad, u shpreh se në deklaratën e përbashkët për Mini Shengenin flitet gjatë gjithë kohës për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Brenda vitit 2021, tha ai, Ballkani Perëndimor do të jetë si Shengeni dhe nuk ka veto për asnjë. “Këtë e them në emër të Presidentit Vuçiç dhe të Serbisë për audiencën shqiptare”, tha Kryeministri.

Ai tha se dy vite më parë është rënë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike dhe tashmë ky plan po shkon përpara. Rama u shpreh se “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Nuk duhet të presim nga të tjerët, tha ai.

“Ky takim nuk ka ardhur nga hiçi dhe dua ta bëj të qartë se nuk synon asnjë ekskluzivitet, por është një hap me synimin për një proces gjithëpërfshirës. Në deklaratë do të lexoni se flitet gjatë gjithë kohës për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka një rrugë që na ka sjellë deri këtu. Kemi mundur të mësojmë se duhet të bëjmë më shumë, pa pritur më shumë nga të tjerët. Më shumë në funksion të njerëzve tanë, në funksion të lëvizjes së lirë. Dëshiroj të theksoj se pavarësisht e dimë botërisht që ka çështje të hapura në zemër të këtij rajoni, kjo nuk duhet të na pengojë që duke rënë dakord që të mos biem dakord për këto çështje.

Dua të theksoj se në vitin 2017 në takimin e radhës të procesit të Berlinit, është rënë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike dhe dy vjet prej asaj dakordësie, nuk është se ka ndodhur mjaftueshëm gjëra që janë përkthyer në më shumë rritje ekonomike, punësim, integrim dhe ndërveprim. Qëllimi i këtij formati është të shtyjmë përpara procese që në letër janë shkruar më shumë se një herë dhe të mos presim që të tjerët. I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, tha Rama.

Më tej, Rama u shpreh se deklarata nënvizon natyrën gjithëpërfshirëse. “Nuk na ka mbledhur këtu ndonjë kujdestar nga Brukseli apo vende mike, por nevoja për të ulur krimin e organizuar transnacional, për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve tanë, për të rritur cilësinë e shërbimeve tona dhe 4 parimet themelore të BE. Nuk do të presim dhe nuk do të rrimë në vendnumëro për të çuar para të gjitha ato pjesë të këtij plani të përbashkët nga procesi i Berlinit që kanë mbetur ende në letër. Do bëjmë gjithë-çfarë na takon, për të gjitha vendet. Ne e kemi theksuar, duam të jemi pjesë e familjes së madhe europiane. Por, ndërkohë familja europiane ka dhe problemet e veta të brendshme, dhe ne s’mund të mbetemi peng. Nuk jemi zonë e kategorisë së dytë, e nuk është as fidanishte për të bërë eksperimente dhe të presim që familja europiane të na përqafojë e të na ulë në tavolinë”, tha kryeministri Rama.