Kryesore Rama: Nënshtetësia e Kryepeshkopit Janullatos, akt i vonuar

Rama: Nënshtetësia e Kryepeshkopit Janullatos, akt i vonuar

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur për marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga Janullatos, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ka bërë shumë mirë Presidenti që i ka dhënë nënshtetësinë Kryepeshkopit”.

“Unë besoj që është një akt  i vonuar dhe i cili pajton dhe nuk ndan. Kjo është vërtetë ana pozitive e këtij akti. Natyrisht që figura e Kryepeshkopit është e ngarkuar me një simbolikë të rëndë, në kuptimin e peshës, simbolikë komplekse, por të mos e harrojmë asnjë herë që ai ishte drejtuesi i një procesi rilindjeje nga hiri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, tha Rama.

“Shqipëria, shtoi kryeministri,  nuk e kishte dot në atë moment të parë Fan Nolin e vet.

“Në këtë fazë tranzicioni, sepse nuk e konsideroj pikë mbërritje të Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepeshkopi ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, edhe pse me të, jo gjithmonë kemi ndarë të njëjtat pikëpamje. Kompleksiteti i kësaj lidhet me faktin se me vendin fqinj janë të lidhura shumë fate dhe cilësia e jetës dhe mirëqenies së popujve tanë dhe kjo ka ndikuar nganjëherë negativisht dhe padrejtësisht mbi figurën e Kryepeshkopi”, tha Rama, duke shprehur bindjen se Presidenti ka bërë gjënë e duhur në këtë rast.