Kryesore Rama nga Berlini për turizmin: E nisëm nga 0, tani kemi mbi...

Rama nga Berlini për turizmin: E nisëm nga 0, tani kemi mbi 260 destinacione agroturistike

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin ku pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz po merr pjesë në Panairin e Turizmit. Ai ka zhvilluar një drekë pune me operatorë dhe media të specializuara për turizmin në Gjermani, ku ka folur për Shqipërinë turistike.

“Më në fund ne kemi jo vetëm një prezencë shumë të mirë këtu , por kemi çka të tregojmë dhe çfarë të themi për ti ftuar njerëzit të vijnë. Ka qenë një rrugë e gjatë. Na u desh ta nisnim nga një pozitë vërtetë e keqe dhe praktikisht me shumë paragjykime që duhet t’i luftonim. Nuk ka përfunduar, por fakti që jeni këtu tregon se kemi ecur në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Para tyre, Rama u shpreh se Shqipëria përveç bukurive natyrore ka edhe mikpritjen dhe ushqimin e shkëlqyer për të pritur turistë. Ai u shpreh se deri më tani janë krijuar më shumë se 260 destinacione agroturistike që po përmirësohen më tej.

“Shqipëria nuk ka vetëm plazhet apo bregdetin e bukur, apo malet e jashtëzakonshme, por ka edhe mikpritje të mirëfilltë dhe atmosferën e ngrohtë de ushqim të shkëlqyer. Ne ia dolëm turizmi ynë po rritet. E nisëm nga zero dhe tani kemi më shumë se 260 destinacione agroturistike që po përmirësohen më tej. Kur vjen fjala për të huajt Shqipëria është vendi më i mirë dhe i mrekullueshëm sepse ju trajtoheni si në shtëpinë tuaj. Shifrat e turizmit tonë po rriten gjithandej, në çdo vend, nga çdo vend. Aeroporti ynë është i pari në Europë pas pandemisë që është ringritur me 123% vitin e kaluar që janë të dhënat zyrtare të Agjencisë Europiane të Transportit Ajror. Hotelet po ndërtohen ditë pas dite. Sigurisht duhet të bëjmë më shumë për turizmin e nivelit të lartë. E kemi nisur, por na duhet të bëjmë më shumë në turizmin luksoz”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama shtoi më tej se qeveria po bën një ligj interesant për investuesit. Por kjo është një sfidë më tej për kreun e qeverisë pasi thotë se duhet të jemi balancues mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës. Ai u shpreh se vitin e kaluar Shqipëria rriti masën e zonave të mbrojtura. Para përfaqësuesve të operatorëve dhe mediave gjermane u shpreh se në javët në vijim lumi Vjosa do të deklarohet Park Kombëtar.

“Kemi një ngjarje mjaft, mjaft të madhe  në javët që vijnë që ka të bëjë me deklarimin e lumit tonë Vjosa, Park Kombëtar. Është shumë, shumë i rëndësishëm si lumë për Europën sepse siç thonë është lumi i fundit i egër në Europë. Sigurisht ka mbetur i vetmi sepse gjithë të tjerët u kthyen nga tigra në mace për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon ne që ta ruajmë lumin e fundit të egër dhe edhe ne duam që ta ruajmë. Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin, ndaj ne do ta ruajmë”, tha Rama.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit dakordësuan se Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer në tregun gjerman dhe treguan interes për atë çfarë mund të ofrojë turizmi shqiptar në të ardhmen,

“Unë përfaqësoj operatorët e vegjël turistikë dhe agjencitë e udhëtimit në Gjermani dhe jam shumë i interesuar të dëgjoj më shumë për vendin tuaj”, u shpreh një prej tyre.

“Jam kryeredaktor i Travel Book që është revista më e madhe e udhëtimeve online në Gjermani dhe si çdo gazetar jam shumë, shumë kureshtar për Shqipërinë dhe çfarë vjen më pas për të”, u shpreh një tjetër përfaqësues i një prej revistave më të mirënjohura në fushën e turizmit.