Politika Rama nis fushatën: Kemi mbajtur zotimet tona për pandeminë dhe rindërtimin

Rama nis fushatën: Kemi mbajtur zotimet tona për pandeminë dhe rindërtimin

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se me heqjen e kësteve të tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe shtyrjes së kësteve të tatimit mbi fitimin 190 milionë euro nuk janë futur në arkën e shtetit.

Sipas tij këto para u janë lënë biznesit dhe kompanive të ndryshme për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Rama u shpreh se qeveria po i qëndron premtimeve të saj edhe sa i përket rindërtimit.

“E fundit është një shifër që duhet thënë. Përtej pagave të luftës, përtej pagës direkte 400 mijë lekë. Heqja e kësteve të tatim të thjeshtuar të fitimit dhe shtyrja e kësteve të tatimit mbi fitimin ka një efekt 19.1 miliardë lekë të reja. 190 milionë dollarë që Iu lanë biznesit, kompanive, të gjithë atyre që në vështirësitë e shkaktuara nga Covid-i dhe karantina nuk u la vetëm. Ky është fakt. Janë 190 milionë që nuk erdhën në arkën e shtetit, ndërkohë që shteti funksionon me këtë të ardhura. Ndërkohë nuk më rezulton, përkundrazi, që po i lemë një tullë mangët gjithë programit masiv të rindërtimit”, u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit paralajmëroi të tjera konferenca për mediat ku tha se do të tregojë me fakte të gjitha premtimet që ka mbajtur qeveria e tij.

“Javën e ardhshme do të flasim për të tjera dhe për të tjerë. Do t’i marrim me radhë një për një të gjitha zotimet tona dhe do t’i ballafaqojmë me shifra dhe me fakte dhe jo me perceptime që krijohen duke shpifur përditë apo duke kundruar realitetin shqiptar jo nga terreni i punës, por nga terreni i llafeve”, u shpreh Rama.