Kryesore Rama: Një mijë euro bonus për vullnetarët që do të thirren në...

Rama: Një mijë euro bonus për vullnetarët që do të thirren në front

Kryeministri Edi Rama futi në listën e atyre që do të marrin shpërblim për luftën kundër koronavirusit edhe vullnetarët. Gjatë një komunikimi me qytetarët në “Facebook”, Rama tha se deri tani i janë përgjigjur thirrjes për të luftuar “armikun e padukshëm” 467 mjekë.

“Lajmi i mirë është se deri tani i janë përgjigjur thirrjes 467 mjekë. E përsëris që të gjithë mjekët dhe infermierët që paga e marsit do të jetë me një bonus prej 1 mijë eurosh. Ky bonus do t’u jepet edhe gjithë vullnetarëve që do të thirren në front. Është më e pakta që mund të bëjmë. Java që vjen dhe tjetra pas saj do të vijë me numra të rritur. Dikush i quante dy javët e ngritjes së furtunës prandaj duhet të jemi të përgatitur për rastet që priten të shtohen pa asnjë dyshim. Nuk më lejohet të mos ju them të vërtetën, aq më tepër kur lidhet me ju dhe familjet tuaja. Duhet ta dimë të vërtetën, ta pranojmë siç është dhe të jetojmë me të.”

Rama, nga shtëpia e tij në Surrel, njoftoi se edhe të hënën ajo pjesë e administratës që duhet të jetë në punë, do të jetë pushim.

“Nesër administrata është pushim, do ishte sido qoftë pushim meqë Dita e Verës ishte të shtunën. Do të vazhdojë edhe për ata që nuk janë pjesë e detyrave esenciale. Të tjerët do të jenë në punë siç do të jenë në punë edhe kompanitë jetike për kompanitë prodhuese.”