Kryesore Rama: Nuk e di a do mund ta çoj tepsinë për skrap

Rama: Nuk e di a do mund ta çoj tepsinë për skrap

Kryeministri Edi Rama ka lënë mënjanë diplomacinë duke treguar frikën e tij të madhe lidhur me një premtim elektoral që ndoshta edhe s’mund ta mbajë dot.

Gjatë një intervistë për dhënë gazetarit Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë” në RTSH, kryeministri tha se premtimit që i druhet më shumë është fakti që të mos mund ta çojë tepsinë për skrap gjatë mandatit të dytë.

“Premtimi që i druhem më shumë është që të mos mund ta çojmë tepsinë për skrap gjatë mandatit të dytë. Rezistenca do të jetë e fortë edhe brenda nesh pasi sistemi i interesave të lidhur me tepsinë është shumë më i komplikuar dhe është shumë më i fuqishëm sesa çfarë duket”, tha Rama.

PJESË NGA INTERVISTA

Që nga viti 1998, viti miratimit me referendum të Kushtetutës, sa herë ka ardhur një president në detyrë pyetja ka qenë: a do të miratojë Parlamenti një ligj për funksionimin e presidencës. Vetë PS ka thënë se duhet një ligj organik për funksionimin e Presidencës. Në dijeninë time është edhe një draft në parlament. Do ta bëj ligjin kjo legjislaturë? Do ta miratojë ligjin për funksionimin e Presidencës?

-Nuk jam në dijeni të kësaj që ju thatë, që ka një ligj…

Ka një projekt…

-Po nuk shoh asnjë arsye për të mos e bërë nëse ky është rasti.

Folëm pak për reformën kushtetuese, e cila duket më shumë embrionale se sa një gjë e mirëpërcaktuar. Po nëse hapet loja për reformën kushtetuese, a parashikoni kompetenca shtesë si formë kompensimi për zhveshjen që ju bë nga reforma në drejtësi dhe që nuk më asnjë lloj kompetence?

-S’kemi hyrë në këto detaje, por unë nuk besoj se ka kthim mbrapa për sa I përket kompetencave të presidentit në raport me sistemin e drejtësisë sepse i gjithë sistemi është konceptuar në mënyrë të tillë që ka ridimensionuar kompetencat jo vetëm të presidentit, po edhe në tërësi influencën e ekzekutivit dhe politikës mbi sistemin.

Nëse i qëndrojmë mandatit të parë qeverisës fjala kyçe në atë mandat ishte Rilindja. Në mandatin e dytë cila është fjala kyçe e qeverisë tuaj?

-Shqipëria që duam!

Një fjalë e urtë thotë: Bëmë edhe njëherë nuse pa di unë si të nusëroj. Në asamble ju folët për “kusuret e qeverisjes”. çfarë ju mbetet peng i madh i 4 viteve të shkuara?

-Që nuk luftuam sa do të duhej korrupsionin, që nuk reformuam shtetin së brendshmi aq sa do të duhej dhe që nuk prekëm dot sferat e influencës së partive në administratë.

Në asamble folët për mënyrë jo konvencionale në luftën nda korrupsionit. çfarë do me thënë jo konvencionale? Mantra juaj ka qenë modernizimi i sistemit. është e njëjta gjë apo ka diçka më ndryshe?

-Ka elementë që janë shumë interesantë dhe që janë përdorur në vende të tjera, por që jam I rezervuar që të flas për këta elementë pa u dakordësuar njëherë brenda nesh se cilët prej tyre do të përpiqemi të aplikojmë në vendin tonë.

Në 2013 keni folur për “shpresë dhe dëshirë për ndryshim”. Në 2017 çfarë ka mbetur?

-Unë besoj se zgjedhjet treguan se ka një besim të konsiderueshëm tek PS-ja, tek qasja jonë dhe mbi të gjitha tek vendosmëria jonë për t’i bërë gjërat që marrim përsipër. Dhe ajo që më ka bërë përshtypje nga shumë fokus grupe që kemi organizuar gjatë gjithë procesit, para dhe gjatë zgjedhjeve ka qenë se njerëzit thonë që pavarësisht se shumëçka mund të mos jetë siç duhet apo mund të mos bëhet siç duhet, një gjë është e sigurt që Edi Rama dhe socialistët janë të vetmit që përpiqen t’i bëjnë gjërat siç duhet.

Vite më parë keni folur për një shqiptar që mund t’ia dal të punojë në administratën gjermane, por gjermani korruptohet po të punojë në administratën shqiptare. A ka shanse “gjermani” të punojë pa marrë “parazit” në administratën shqiptare të vitit 2021?

-Besoj se do të ketë një ndryshim të madh në këtë aspekt. Ne që në mbledhjen e parë të qeverisë do të heqim për shembull barrën e 4.5 mln certifikatave që shqiptarët duhet të marrin gjatë një viti për të mbaruar punë me shtetin. Pra, është shteti që prodhon numrin më të madh të certifikatave për frymë në një vit për të dhënë shërbime. Njerëzve mund t’ju bjerë që të duhet të provojnë ekzistencën e tyre mbi këtë tokë për të marrë një shërbim përmes certifikatës edhe 10 herë në vit. Kjo është e papranueshme. Kështu që certifikatat do të hiqen dhe do të jetë barra e zyrave të shtetit të verifikojnë gjendjen civile të çdo personi pasi kjo është e mundur nëpërmjet portalit e-albania që është aty prej kohësh, por që ne kemi detyrimin që ta bëjmë sa më familjarë për njerëzit. Ka edhe shumë gjëra të tjera që do të ndodhin në 100 ditët e para për nga pikëpamja e lehtësimit të njerëzve nga burokracitë. Për shembull, dëshminë e penalitetit. Sa shumë njerëz duhet të shkojë dhe të marrin dëshminë e penalitetit për të provuar që nuk kanë pasur probleme me ligjin, ndërkohë që është një dokument shumë I thjeshtë për t’u aksesuar në sistemin e brendshëm të qeverisë dhe atëherë mendoj se nëse qeveria apo shteti për të dhënë një shërbim kërkon nga ju një numër dokumentesh që i prodhon po shteti, atëherë i takon po shtetit që këto dokumente t’i verifikojë për llogarinë tuaj. Nuk mund të verifikoj dhe të kërkoj gjendjen e financave tuaja në një bankë. Kjo është detyra juaj ta bëni. Por ama nuk mundet më t’ju thotë shko në 17 zyra, bëj 17 radha, paguaj 17 fatura dhe hajde këtu pastaj me 17 letra që i prodhoj unë si shtet që pastaj unë të të jap ty një shërbim. Kjo është e papranueshme dhe ne këtë do ta zhbëjmë me siguri brenda këtij mandati.

Po të ketë një fushatë po aq intensive sa ç’u bë për vettingun edhe e-albania ndoshta do të marrë popullaritet më të madh tek njerëzit.

Croën Agent, agjensia e komisionuar për t’u marrë me doganat ishte një histori suksesi në shumë vende, përfshi edhe Bullgarinë, por dështoi në Shqipëri. Pse?

-Nuk dështoi, por…

Nuk mund të themi që ishte dhe me sukses…

-Nuk dështoi, por nuk u arritën ato objektiva që u përcaktuan. Ishte një eksperiencë në tërësi pozitive, por…

Mirë është të mos përsëritet…

-Jo, arritëm në konkluzionin që ajo eksperiencë u absorbua nga administrata drejtuese dhe prandaj nuk u ripërsërit kontrata.

Premtimi më i bujshëm i fushatës së 2013 ishte 300 mijë vende pune… Cili është premtimi që i druheni më shumë për mandatin e dytë?

-Premtimi që i druhem më shumë është që të mos mund ta çojmë tepsinë për skrap gjatë mandatit të dytë. Rezistenca do të jetë e fortë edhe brenda nesh pasi sistemi i interesave të lidhur me tepsinë është shumë më I komplikuar dhe është shumë më I fuqishëm sesa çfarë duket.

Në asamble ju keni thënë se këtë radhë nuk do të kemi më kujt t’i ankohemi pas katër vitesh…

-Përveç të tjerash. Por është vërtet një zotim shumë i rëndë dhe që duhet ta çojmë deri në fund patjetër.

Në korrik të 2013, ju keni thënë se 10 mijë shqiptarë që jetonin jashtë, shprehën gatishmërinë për të ardhur për të shërbyer në administratën e shtetit shqiptar… Cili është fati tyre sot?

-Nuk jam i sigurt që bëhet fjalë për 10 mijë shqiptarë që kanë jetuar jashtë….

Le të themi 1 mijë….

-Besoj se bëhet fjalë për shqiptarë që janë regjistruar duke shprehur interesin e tyre. Për shembull unë do t’ju sillja një elementë. Janë mbi 3 mijë shqiptarë që janë pjesë e shërbimit civil të Republikës së Shqipërisë dhe që kanë hyrë në këtë shërbim falë konkurseve shumë specifike që organizon shërbimi civil dhe janë pjesa më e pakontaminuar nga sistemi i tepsisë sepse rruga përmes së cilës kanë hyrë në shërbim është rruga, ku partitë kanë patur një influencë minimale për të mos thënë zero. Ja ku u bënë 3 mijë për shembull, meqë më kërkuat 1 mijë.

Në një takim me sipërmarrës italian në qershor 2015 ju keni thënë se duhet të fusim në qeveri mënyrën e të menduarit si sipërmarrës? Dhe se sportelet e shërbimit publik i duhen lënë kompanive private. I qëndroni kësaj.

-Kemi nisur dhe këtë do ta çojmë përpara me shpejtësi. është sistemi I shërbimeve të përqendruara, ndryshe quhet ADISA, që ka filluar në disa pika, por që ne do të bëjmë çmos që të shtrihet në gjithë Shqipërinë, ku qytetarët shkojnë dhe të gjitha shërbimet I kanë në një sallë.

Risi e strukturës së re qeverisëse është Ministri i Shtetit për Diasporën. Në fund të katër viteve çfarë synoni të realizuar përtej fjalës kujdesi për shqiptarët jashtë? Votimi i emigrantëve?

-Votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Do të bëjmë çmos për ta realizuar.

Qëndrojmë pak te raporti me fqinjin tonë jugor. Pak ditë më parë zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke e ka kërcënuar kryeministrin dhe i ka thënë t’i vëri gishtin kokës se do të bllokosh integrimin e Shqipërisë me sjelljen që ke. është ky kërcënim serioz?

-Nuk dua të hyj në polemikë në lidhje me këtë marrëdhënie të vështirë, aq më tepër duke pasur parasysh që arsyeja e këtyre lloj deklaratave është krejtësisht e paimagjinueshme, por me siguri do të bëjmë çmos që fqinjët tanë të qetësohen dhe të kuptojnë që në Shqipëri ka vetëm respekt për fqinjësinë dhe për të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, si qytetar të këtij vendi me një kombësi tjetër.

Kur ju thoni se do të bëni çmos, keni parasysh mekanizma reagues, do të sqaroni Athinën? Do të sqaroni Brukselin? Do të hapni bisedime?

-Do të bëjmë çmos me shembuj konkret të kujdesit, të vëmendjes, të mirëkuptimit me minoritetin grek në Shqipëri, që për mua dhe për ne është një pasuri e madhe. Ata janë qytetarë të barabartë të këtij vendi dhe janë pa diskutim një prani më shumë se sa e dëshiruar në këtë vend. Për fat të keq në këtë marrëdhënie ka shumë interferenca, ka axhenda politike jo dashamirëse, që në një mënyrë ose në një tjetër, dizinformojnë, manipulojnë, instrumetalizojnë edhe nivelet më të larta në Athinë.

Në programin e parë qeverisës keni deklaruar Greqinë partner strategjik…

-Ka qenë, ka qenë…

Ju përmendët këto axhenda. Po çfarë nuk shkon. E ka Shqipëria luksin të mos ketë marrëdhënie normale me një fqinj të rëndësishëm?

-Shqipëria nuk e ka luksin të bëjë sikur marrëdhëniet janë normale, kur marrëdhëniet kanë probleme. Por ne jemi në një proces bashkëbisedimi me fqinjët tanë për t’i sheshuar gjërat që i kanë penguar këto marrëdhënie të jenë të lira dhe të funksionojnë shumë më mirë si marrëdhënia prej të cilave varet një pjesë e rëndësishme e qetësisë dhe e mirëqënies të njerëzve në të dy anët e kufirit jugor.