Kryesore Rama nuk ia përton kryebashkiakut të PD-së: Kush ju ka diskriminuar?

Rama nuk ia përton kryebashkiakut të PD-së: Kush ju ka diskriminuar?

Gjatë konsultimeve publike për buxhetin e vitit 2018, sot janë nxehur gjakrat, pas ndërhyrjes se kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili i ka kërkuar kreut të qeverisë që të mos bëjë diferencime në dhënien e buxhetit. Ai ka renditur një sërë kërkesash të rëndësishme, siç i quan ai, të cilat duhen zgjidhur me projektbuxhetin e vitit 2018.

“Më vjen mirë që u fol për qytetin e Fierit dhe dua ta shikoj sa më të bukur atë. Unë doja të shprehja shqetësimin tim lidhur me financimin e projekteve në Mallakastër, sepse janë diskriminuar nga qeveria juaj.

Cilat janë defektet dhe kriteret që refuzohen projektet dhe nuk financohen. Por ju asnjëherë nuk na thoni defekte. Në bashkinë Mallakastër ka pasur një financim në shkollë, kanalizime dhe një në infrastrukturë. Më duhet të di nëse do të bëni investime për Mallakastrën apo jo?

Mua më presin përgjigje edhe qytetarët, ata duan të dinë nëse do rehabilitohet si gjithë të tjerët. Por shoh që aty ky projekt nuk e gjen financimin, edhe pse ky qytet është sa të marrësh Tepelenën, Memaliajn, Këlcyrën dhe Përmetin bashkë”, u shpreh Kapllanaj.

Kjo duket se e ka revoltuar kryeministrin, duke konfirmuar se nuk ka patur diferencime në dhënien e buxhetit.

“Fondi nuk do jepet siç është dhënë deri tani, i financuar 100 % nga qeveria, do ti kalojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe aplikimet do të bëhen nëpërmjet tij. Së pari një gjë është e sigurtë, nuk ka asnjë sens për të privilegjuar apo diskriminuar ndonjë bashki. Ky buxhet do të ketë ndryshim për menaxhimin e projekteve. Fondi nuk do jepet siç është dhënë deri tani, i financuar 100 % nga qeveria, do ti kalojë fondit shqiptar të zhvillimit, dhe aplikimet do të bëhen nëpërmjet tij dhe investimet do të bëhen bashkë. Pra bashkia do të vendosë një përqindje, 5, 10 apo 15”, tha kryeministri.

Rama theksoi se ajo që është e papranueshme dhe që mund të quhet gabimi i administruesve apo kryebashkiakëve, është se paratë e dhëna për investim i kanë bërë për rroga për punonjësit, të cilët janë të tepërt dhe nuk bëjnë punë.