Kryesore Rama: Nuk luaj bixhoz me mandatin. Këto tre gjëra nuk i negocioj...

Rama: Nuk luaj bixhoz me mandatin. Këto tre gjëra nuk i negocioj me askënd

Teksa opozita e bashkuar është mbledhur përpara selisë blu dhe Parlamentit, kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, tha se kjo që ndodh sot nga opozita nuk është një skenar i panjohur. Sipas kreut të Qeverisë dy vite më parë PD, u mblodh tek çadra dhe kërkonte qeveri tranzitore dhe largimin e Edi Ramës.

“Nuk është një protestë popullore, por një reagim brenda pallatit të politikës. Ajo që ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i opozitës si rezultat i humbjes së shikimit mbi vetveten dhe Shqipërinë.

Jemi në kushtet e një seriali të njohur. Nuk besoj se për ju që jeni këtu është e vështirë ti bëni thirrje kujtesës për situatën e dy viteve më parë,në këtë periudhë ku ishin në çadër, ku nisën një rrugëtim për të ndërtuar një republikë të re me kushtin e panegociueshëm, për një qeveri pa Edi Ramën kryeministër, qeveri tranzitore, sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament.

E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit, mbi interesin politik dhe bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve në Shqipëri, duke i vënë në dispozicion opozitës gjithçka kërkoi. Morën Ministrinë e Brendshme, të gjitha ministritë që kërkuan me idenë që këto ministri ishin ministri elektorale dhe PS mund ti përdortë për qëllime elektorale. Morën për herë të parë, kryetarin e KQZ, e dini shumë mirë sesa luftëra janë bërë dhe kishin shumicën në Komisionet Zgjedhore”.

Rama tha se mandati i dhënë nga populli nuk është letër bixhozi.

“Mandati ynë nuk është letër bixhozi ne nuk luajmë bixhoz, siç luajnë ata pas të cilëve qëndrojmë grupe interesash që janë mundur”.

Sipas Ramës, opozita kërkon ta marrë pushtetin në tavolinë dhe duke mos qenë e aftë të fitojë zgjedhjet, kërkon anulim loje.

“Këta kërkojnë të marrin pushtet në tavolinë, kërkojnë përmbysjen e rregullave të lojës duke krijuar një precedent të papranueshëm që një opozitë që e shikon se nuk fiton zgjedhjet dhe ikën, anulim lojë dhe mbi të gjitha ne e provuam ja u dhamë të gjitha ato që kërkuan. E dinë shumë mirë të gjithë, Luli, qofshin PS, LSI, PD nuk kam shkelur asnjë ditë në Këshillin e Ministrave, kam mbyllur zyrën dhe kam shkuar në fushatë. Në do vazhdojmë me edhe më shumë vëmendje, përkushtim dhe vendosmëri në punë tonë. Kemi shumë gjëra për të bërë dhe kemi bërë shumë. Ata nuk kanë asnjë shans të bëhen shumicë”.

Djegien e mandateve, kreu i qeverisë e shikon si diçka të mirë, pasi nuk janë vetëm ata, por ka të tjerë që po presin dhe mund ti zëvendësojnë shumë mirë ish deputetët.

“Është koha që shqiptarët të shohin se ata nuk janë e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje. Ka të tjerë që por presin po se jashtë ka njerëz të tjerë. Ne nga ana jonë duhet të mësojmë se çfarë nuk shkon dhe ta zgjedhimin. Padyshim ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, dora jonë është e shtrirë, jemi gati të dialogojmë për gjithçka”.

Kryeministri renditi tre gjëra për të cilat nuk negocion me askënd.

“Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatet e marra nga shumica e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd”.