Kryesore Rama: Nuk riatdhesojmë në masë bashkëqytetarë, vetëm ata në pikë të hallit

Rama: Nuk riatdhesojmë në masë bashkëqytetarë, vetëm ata në pikë të hallit

Kryeministri Edi Rama përmes një nga postimet e tij në Facebook ka sqaruar se qeveria nuk ka mundësi të riatdhesojë të gjithë bashkëqytetaret që ndodhen jashtë shtetit, dhe se ato pak fluturime që po kryhen përfshijnë vetëm disa kategoria specifike.

“Janë ata të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetare që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit”, thotë Rama.

Sipas tij, lista është mbyllur, dhe nuk ka kuptim të merren pa pushim ambasadat, “sepse nuk ktheheni dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës!”.

Kryeministri njoftoi edhe se të riatdhesuarve të këtyre ditëve do t’u botohet emri nga Policia e Shtetit, në mënyrë që “po e shkelën ligjin e vetëkarantinimit askush që i njeh të mos u afrohet!”

Rama: Sqarimi i fundit për të gjithë ata që nuk e kanë dëgjuar, nuk e kanë e lexuar apo nuk duan ta kuptojnë, se nuk do të riatdhesojmë në masë bashkëqytetarë jashtë kufijve:

Të dashur motra e vëllezër, kudo që ndodheni e merrni papushim në telefon ambasadat tona, ju lutem mos shpenzoni më kohë e të ardhura për telefonata, sepse nuk ktheheni dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës! Ndjesë 1000 herë, po kjo është një luftë ku ne duhet të ruajmë njëri-tjetrin dhe MISIONET TONA TË RIATDHESIMIT (kemi shpjeguar, rishpjeguar, stërshpjeguar) DO TË KTHEJNË NË ATDHE VETËM NJË NUMËR TË KUFIZUAR PERSONASH, të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetare që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit; njerëz që u listuan përpara shpalljes së misioneve të fluturimit nga përfaqësitë tona dhe u verifikuan një për një, për situatën e tyre të rënduar. Prandaj e kam thënë, qysh në momentin e parë të lajmërimit të iniciativës sonë për t’i kthyer këta persona, se LISTA ËSHTË E MBYLLUR, me numër të saktë, por fatkeqësisht shumëkush nuk e ka dëgjuar dhe vazhdon të mos e dëgjojë, madje disa në vend që të dëgjojnë akuzojnë, shajnë e mallkojnë! Po s’ka problem për akuzat, sharjet e mallkimet, thjesht mos u mundoni më për të gjetur vend në avion, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë deri në përfundimin e luftës! Më vjen tmerrësisht keq, po shpresoj në mirëkuptimin e secilit, ashtu sikundër uroj dhe besoj që të rikthyerit nuk do të luajnë me jetën e familjarëve e të të njohurve të tyre, po do të vetëkarantinohen strikt e s’do luajnë fare nga vendi