Politika Rama: Open Balkan, pjellë e Procesit të Berlinit. Teoritë konspirative janë dokrra

Rama: Open Balkan, pjellë e Procesit të Berlinit. Teoritë konspirative janë dokrra

Angela Merkel dhe Edi Rama janë në një zë kur thonë se Ballkani i hapur është përzgjatje e Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit është bërthama e gjithçkaje dhe në këtë kontekst Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet. Ballkani Perëndimor vitet e fundit ka mësuar të bashkëpunojë me njëri-tjetrin, jo vetëm të ulen me njëri-tjetrin”, tha Merkel.

Ndërsa Rama shtoi se Open Balkan është pjellë e procesit të Berlinit.

“Angela Merkel është një dhe nuk vjen më të jemi të qartë. Për arsye të historisë së saj dhe eksperiencës së jashtëzakonshme në 4 mandate rresht. Open Ballkan është pjellë e procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë, është pjellë. Nuk ka Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit. Open Balkan është mjeti i Rajonit për të implementuar procesin e Berlinit. Kush thotë se njëra bie ndesh me tjetrën ose e bën me qëllim ose nuk e kupton. Teoritë e konspiracioni, jo po Procesi i Berlinit, Open Balkan janë të organizuara nga forca të tretë apo janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer ne që të krijojmë këtu një mikro BE janë dokrra. Kancelarja në 2014 në tryezën e kancelarisë ka thënë këtë shprehje, Ju nuk jeni në BE, por jeni europianë dhe për këtë arsye duhet të nisim këtë proces që bashkë me punën ju së bashku dhe ne bashkë me ju të ndihmojmë që rajoni të ngrihet nga pikëpamja ekonomike, politike dhe sociale”, tha Rama.