Kryesore Rama pas samitit të NATO-s: Çfarë bisedova me liderët e aleancës për...

Rama pas samitit të NATO-s: Çfarë bisedova me liderët e aleancës për tërmetin

Kryeministri Edi Rama është fokusuar tek tema e tërmetit gjatë bisedimeve me liderët botërorë në samitin e NATO-s të zhvilluar në Londër. Gjatë një konference për mediat, kreu i qeverisë u shpreh se ka takuar dhe biseduar me Macron, Merkel, Rutte, Trudeau, Trump, Erdogan e një sërë liderësh të tjerë.

Qëllimi është krijimi i një konference donatorësh dhe për këtë Rama u shpreh se reagimet ishin pozitive. Gjithashtu kreu i qeverisë tha se e arriti qëllimin e tij personal që të përfshijë liderët emocionalisht, pasi në fund të fundit është fjala e tyre që vlen shumë për këto raste.

“Natyrisht që për mua ky ishte objektivi kryesor i gjithë këtij samiti dhe me thënë të drejtën u ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin jo vetëm në dijeni, por edhe të interesuar të dinin më shumë. Faktikisht kemi diskutuar me partnerët europianë. Kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, me kancelaren, me kryeministrin e Holandës dhe me një sërë liderësh të tjerë. Edhe kryeministri i Kanadasë me presidentin Trump kemi folur. Të shikojmë tani më tutje, por qëllimi është të krijojmë një konferencë të madhe donatorësh. Reagimet e para janë pozitive.

Ajo që ka qenë objektivi dhe them se ia kam arritur që të përfshij drejtpërdrejt liderët dhe të përfshij emocionalisht ata që në fund të fundit janë shumë të rëndësishëm në këtë proces sepse një fjalë e tyre është shumë më shumë se sa një dosje e përgatitur në nivelet më të ulëta”, tha Rama.

Thirrjen ndaj kreut të opozitës për bashkëpunim, kreu i qeverisë e konsideron si më normalen.

“Nuk ka asnjë sens që të vazhdojë historia me komunikata në distancë kur të gjithë jemi jo vetëm të goditur nga e njëjta tragjedi, por të gjithë jemi në nevojë për të ndërtuar çatinë e një shpie shumë më të shumë më të madhe se shtëpia e politikës që është shtëpia e Shqipërisë”, përfundoi Rama.