Aktualitet Rama për KÇK: E dinë që s’do e kalojnë vetting-un dhe po...

Rama për KÇK: E dinë që s’do e kalojnë vetting-un dhe po grabisin ç’të munden

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot nismën kundër atij që e quan KÇK (Kap ça t’kapësh), që e quan “organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar”.

Fillimisht, kryeministri shpjegoi perceptimin e gabuar që kanë njerëzit mbi drejtësinë: “Nuk të fut në burg qeveria apo policia, por drejtësia. Policia e shkretë ka marrë mbi vete baltë pa fund, ndërkohë që ka kryer më mirë sesa të gjithë të tjerët detyrën e vet. Policia e çon te dera e drejtësisë kriminelin dhe prokurori nuk hap çështjen penale, ose gjykata e liron në sallë. Tani janë krijuar kushtet për të vepruar, pasi deri dje oligarkia e sistemit të drejtësisë dominonte çdo gjë dhe nuk merrej njeri me ta, as media dhe as Parlamenti. Ishin milionerë që bënin ligjin, ndërsa sot po çmontojmë atë sistem dhe po ndërtojmë një tjetër. Vetting-u nuk është për të dënuar, por për të pastruar sistemin dhe për të vendosur aty njerëz që do të gjykojnë nesër këta persona. Por, këto që them i quajnë propagandë”.

Më tej, Rama theksoi se ka ardhur koha që qeveria të bëjë “një hap më tutje me kurajo”.

“Vijmë te KÇK, që është organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë kancer në sistem që me fillimin e vetting-ut ka hyrë në fazën e vet më agresive. Janë njerëz që e dinë që nuk kanë shans të kalojnë vetting-un dhe sot shfaqen shumë më hapur sesa deri dje, kur punonin avash dhe me bindjen se askush nuk i lëvizte nga vendi. Sot, ata kanë kohë deri kur të dalin para vetting-ut. Prandaj, motoja e tyre është Kap ça t’kapësh, KÇK”.

Lidhur me prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kontakte me persona të botës së krimit, por që nuk kanë kaluar ende në filtrin e Vettingut, kreu i qeverisë theksoi se duhet bërë me ligj që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor t’i pezullojnë nga detyra këta zyrtarë. Në të kundërt, u shpreh Rama, në Shqipëri “do të bëhet nami me paligjshmëri”.

“KÇK i duhet vënë një kufi shumë i qartë. Kur një anëtar i KÇK shkel ligjin, askush nuk vepron, ndërkohë që duhet sqaruar se Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të marrë masë për pezullimin dhe inspektimin e anëtarit përkatës të kësaj organizate kriminale. Do të marrim masa që nga ndalimi i daljes nga territori i vendit, deri në ndalimet në perimetra të ndryshme, për shembull mos të dalë nga Vlora. Do të ketë edhe masa me karakter pasuror. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, do bëhet nami në Shqipëri, do kemi çdo javë shfaqje tërbimi të shkeljes së ligjit”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje rastin e atentatit që ndodhi ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, i cili ishte në makinë me Pëllumb Muharremin, një person me precedent penal. Për këtë ngjarje, Kryeministri konfirmoi se në bagazhin e makinës së prokurorit u gjetën dosjet hetimore të vjedhura në Prokurorinë e Durrësit për çështjen e tokave.

“Rasti i Durrësit është shumë flagrant, për fat të mirë e sollën rrethanat që u gjenden në një makinë prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar dhe në bagazhin e makinës dokumentat e vjedhura të prokurorisë”, deklaroi Rama.

Në përfundim të prezantimit, Kryeministri Edi Rama u kërkoi deputetëve të tij që të votojnë të gjithë në Parlament këtë paketë ligjore, në të kundërt do të përjashtohen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.