Aktualitet Rama për ngjarjen e Fierit: Presim nga drejtësia vendimin më ekstrem mbi...

Rama për ngjarjen e Fierit: Presim nga drejtësia vendimin më ekstrem mbi barbarin që vrau Mateon

Kryeministri Edi Rama pret nga drejtësia shqiptare që të japë dënimin më të rëndë për Klodian Çalamënin, 38-vjeçarin që vrau me sëpatë Mateon e vogël në Grecalli të Fierit ditën e martë.

Në një konferencë shtypi me gazetarët para nisjes drejt Italisë, Rama tha se autori duhet të dënohet me masën më ekstreme.

“Nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbje në mendjen dhe zemrën e nënës, babait, familjes, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes së shpejtë nga Policia e Shtetit gjendet sot prapa hekurave.

Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës.

Ju shpreh ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmve. Drejtësia duhet të jetë domosdoshmërisht e shpejtë dhe domosdoshmërisht në lartësinë e nevojës së të gjithë opinionit publik për një reagim me vendim më ekstrem të parashikuar nga ligji”, tha Kryeministri Edi Rama.

A duhet të rikthehet dënimi me vdekje?

Kryeministri Edi Rama është pyetur sot nëse në Shqipëri mund të kthehet dënimi me vdekje.

“Unë e mirëkuptoj këtë reagim në emocionet shumë ekstreme të momentin, nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. Por çështje e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë, si çështje e civilizimit tonë nga të gjithë vendet e BE dhe më gjerë. Në adresimin e kësaj çështje ka pasur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e parë për heqjen e dënimit me vdekje, të bazuara në shumë analiza që kanë folur qartësisht se jo vetëm aspektin moral të një shoqëritë demokratike të bazuar në kartën universale e të lirive dhe të të drejtave të njeriu, por dhe në asketin praktik dënimi me vdekje nuk i bën të pa shmangshme ngjarje të tilla.

Fatkeqësisht dhe në vende më të zhvilluara i kanë në gjirin e tyre dhe këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut. Kështu që rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as një formulë apo shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje të cilat siç e the dhe siç e dimë ndodhin në të gjitha shoqëritë, ndërkohë për sa i përket pjesës tjetër në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrje e ka të shkruar legjislacionin më të ashpër.

Çështja është zbatimi dhe ajo që përben një fatkeqësi për ne në shumë vite është papërgjegjshmëria e trupave gjykues në raport me individ që kanë kryer krime ekstreme, por dhe krime që në mos me vrasje kanë rezultuar në përdhunime, në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit apo kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta dhe pastaj i kanë përsëritur ato duke shkaktuar dhimbje dhe plagë”, u shpreh Rama.