Politika Rama, postim prekës për nënën e tij që u nda nga jeta...

Rama, postim prekës për nënën e tij që u nda nga jeta një ditë më parë

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar miqtë dhe qytetarët që përmes mesazheve të tyre i kanë ndenjur pranë në një moment kaq të vështirë, siç është humbja e nënës.

“Mund të derdhësh lot pse iku

Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi

Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet

Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më

Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të

Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen

Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj

Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të

Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota

Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara”,- përcjell Rama emocionet e tij.

Kryeministri më tej falënderon qytetarët që i kanë dërguar mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Aneta Rama.

“Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm. Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit”, përfundon Rama.