Aktualitet Rama: Presim lajme për një dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera

Rama: Presim lajme për një dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera

Nga Pogradeci ku ndoqi procesin e vaksinimit kundër Covid, kryeministri Edi Rama premtoi se dozat e tjera të vaksinës për atë kategori që do të duhet të marrë vaksinën e dytë, do të jenë gati në afatin e duhur.

Duke folur shkurtimisht për gazetarët, Rama tha gjithashtu se gjatë kësaj jave pritet të ketë edhe një lajm për një sasi tjetër të konsiderueshme të vaksinave të tjera që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.

“Askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar. Këtë javë vijnë sasira të tjera të konsiderueshme vaksinash. Duke garantuar që sapo vjen afati i dozës së dytë, vaksinat janë në dispozicion. Besoj që po këtë javë do të kemi edhe një lajm tjetër për një tjetër dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera”.

Kryeministri foli edhe fushatën elektorale të opozitës, duke kërkuar që të shmanget sa më shumë grumbullimi masiv i qytetarëve.

“Ka njerëz që u duket kjo si politikë, por ka edhe me keq që mendojnë se është shprehje xhelozie për turma. Nuk ka diskutim që çdo parti dhe aq më shumë një parti si e jona mund të mbledhë njerëz masivisht, por kjo është papërgjegjshmëri. Në kushtet kur vaksinimi është armë fatale kundër armikut të padukshëm, por nëse nuk shoqërohet me distancimin, vështirësojmë punën tonë”, tha kryeministri Rama.