Kryesore Rama prezanton kandidatin në Elbasan dhe bën një krahasim me Ajaksin

Rama prezanton kandidatin në Elbasan dhe bën një krahasim me Ajaksin

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatin për Bashkinë e Elbasanit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ai u shpreh i bindur se më 30 qershor, Partia Socialiste do të fitojë të gjitha bashkitë.

“Më 30 qershor në Elbasan do bëhet një festë e madhe dhe do falënderojmë Qazim Sejdinin dhe do i japim bekimin për Glevit, i cili do bëjë edhe më shumë për këtë qytet nën drejtimin e PS. Do bëjmë për Elbasanin këto 4 vitet e ardhshme edhe më shumë se ç’bëmë në këto 4 vite.

Të jeni të sigurt që Ajaksi mund të dalë kampion Evrope, por kampion këtu ka qenë dhe do të mbetet Partia Socialiste. Ajaksi mund ta marrë kupën e kampioneve dhe mund ta meritojë, por bashkitë e Shqipërisë do i drejtojë Partia Socialiste nga Kukësi deri në Skrapar, nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë. Të gjitha do t’i marrim, sepse kudo do bëjmë më shumë për njerëzit”, tha Rama.