Kryesore Rama prezanton Kombinatin e ri, edhe turistik: Nuk do jetë vetëm “3D”

Rama prezanton Kombinatin e ri, edhe turistik: Nuk do jetë vetëm “3D”

Në kulmin e një tjetër krizë pas asaj tërmetore, jo lokale, por globale, siç është pandemia e COVID-19, kryeministri Edi Rama prezantoi projektin e rindërtimit në Kombinat, një nga zonat e dëmtuara nga lëkundjet fatale të 26 nëntorit.

Sipas Ramës, vizioni shkon tej strehimit si nevojë imediate e atyre që humbën shtëpitë.

“Për ata që kanë pasionin dhe vullnetin për të rezistuar, transformimi i krizave në mundësi është një rrugë e vetme. Kombinati ka një projekt që tregon shumë për atë që ne duam të bëjmë.

Synojmë të krijojmë një Kombinat që është një destinacion për turistët, për jetën e natës dhe për shumë aktivitete të tjera dhe këto i përkasin “Shqipërisë 2030″ dhe jo vetëm një harku kohor prej një viti që na duhet për të akomoduar njerëzit”, theksoi i pari i qeverisë.

Por tha ai, duhet durim dhe se i kuptonte ata që presin të strehohen, tashmë që nga dimri është kaluar në verë.

“Ne përjetojmë rritjen e temperaturave, unë nuk ka ditë që të mos i mendoj. Unë nuk jam përdorues i ajrit të kondicionuar, por ne i kemi kushtet. Mirëkuptoj stresin dhe padurimin.

Ndonjëherë edhe acarimin. Mirëpo ajo që duhet kuptuar është që për të shkuar deri tek shtëpia e ndërtuar është një proces i tërë“, tha Rama.

Paraardhësve në qeveri, i kujtoi gropën e borxheve që i lanë vendit, me rrugët e projektet, që sipas Ramës, u lanë rrugëve.

“Kemi gjetur kur ishim në qeveri borxhet ndaj personave që kishin mbetur pa shtëpi nga përmbytjet”, kujtoi Rama.

Socialistët sipas kryeministrit janë ndryshe, ata do të kthejnë në realitet të gjitha projektet 3D. Lagja e re e Kombinatit do të ketë pas rindërtimit edhe 4 institucione të reja arsimore, 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja.