Politika Rama prezanton platformën digjitale: Në këtë mënyrë anëtarët do të përzgjedhin deputetët

Rama prezanton platformën digjitale: Në këtë mënyrë anëtarët do të përzgjedhin deputetët

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re digjitale të Partisë Socialiste, ku do të kenë akses të gjithë anëtarët e kësaj partie. Rama tha se me këtë platformë, krahas komunikimit dhe ndërveprimit, anëtarët do të mund të zgjedhin edhe deputetët përmes votës së tyre.

Secili anëtar, sipas kryeministrit, do japë pëlqimin me një vlerësim nga 1 tek 5 për kandidatët me të cilët PS-ja do shkojë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Platforma e re krijon një hapësirë të përbashkët të një komunikimi të shpejtë brenda familjes sonë politike, ku çdo anëtar ka akses përmes një çelësi personal dhe mund të marrë pjesë në të gjitha proceset brenda platformës, që nga vlerësimi i deputetëve, tek diskutimet e brendshme, tek proceset e ndërveprimeve në funksion të marrjes në kohë reale të informacionit nga qendra, të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale me qendrën, të ndjekjes së aktiviteteve me qendrën përmes telefonit dhe të pasjes së mundësisë për të adresuar qoftë deputetin apo deputeten strukturat e tjera, përfshi edhe ato të pushtetit vendor”, sqaroi Rama.

“Kjo platformë është një mekanizëm që rrit respektin për çdo anëtar dhe anëtare të partisë”, shtoi Rama.