Politika Rama ritregon historinë: Politikani europian që kishte frikë të hynte në Tiranë

Rama ritregon historinë: Politikani europian që kishte frikë të hynte në Tiranë

Gjatë një ceremonie që u bë në Bari në nder të 30-vjetorit të eksodit shqiptar, kryeministri Edi Rama ka treguar një histori personale me një politikan të rëndësishëm europian. Rama tha se ky njeri i rëndësishëm i politikës nuk kishte pranuar që të hynte fillimisht në Tiranë pa makina të blinduar dhe njerëz të armatosur prej përfytyrimit negativ që kishte pasur për vendin tonë.

Kreu i qeverisë tregoi se pas shumë bisedash ai kishte pranuar të hynte dhe kishte ndryshuar tërësisht mendim. Por pavarësisht kësaj, sërish ai vazhdonte me politikën e tij, duke mos treguar në vendin e vet për ato që kishte parë dhe që kishte ndryshuar mendim në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se kjo nuk është mënyra e të bërit politikë pasi shumë njerëz mund të dëmtohen.

“Shqipëria e dyshimtë mbetet sot edhe në ndonjë pjesë të Europës. Një realitet në përfytyrimin e njerëzve që marrin vendime, që japin mendime, opinione. Jo shumë kohë më parë, mora një mesazh nga përgjegjësi i zonës VIP të aeroportit të Tiranës dhe mendova mos kishte ndonjë bombë, a ndonjë zjarr në aeroport sepse s’kisha folur me këtë person. Marr telefonin dhe më thotë kemi një situatë të jashtëzakonshme, s’e kemi ndonjëherë më parë. Është një VIP që nuk do të hyjë në Tiranë. I them nuk do të niset nga Tirana apo të hyjë në Tiranë. Jo, jo një VIP që ka ardhur me policë, me gazetarë që i cili refuzon të hyjë në Tiranë sepse do të shoqërohet nga makina të blinduara dhe njerëz të armatosur. Për korrektesë nuk ju them kush është, por është politikan i një vendi të rëndësishëm, një mysliman i të majtës. Po jua them se normalisht nuk do duhej të paktën në një koncept paraprak që të ishte dikush me paragjykime kaq të mëdha. I them këtij personi, a janë aty shërbimet që shoqërojnë VIP-at. Po më thotë ai, ata janë të armatosur, por zotëria nuk e quan pistoletën një armë të mjaftueshme për të hyrë në Tiranë. I thashë, që t’i thoni zotërisë që nuk ofrojmë një shërbim për të hyrë në Kandahar, ai mund të niset mbrapsht, nuk ndodhet në Rripin e Gazës.

Pas 45 minutash debati për t’u futur në Tiranë, të nesërmen nuk di nëse e dinte që unë e dija këtë situatë, por më thotë “Zoti kryeministër unë duhet t’ju kërkoj falje shumë të madhe”. Pse e pyes. Më thotë sepse unë kam udhëtuar, kam parë shumë vende, e quaja vetën si dikë që nuk mund të binte ashtu sikur më ndodhi në një greminë sikurse unë e prisja sepse Shqipëria nuk ka të bëjë fare me atë që unë përfytyroja. Edhe unë iu përgjigja: mos u bëni merak, kjo u ndodh të gjithëve, sidomos atyre që vijnë nga pjesa e ftohtë e Europës sepse perceptimi është shumë më ndryshe nga realiteti. Më tha jo, jo, por ju zoti kryeministër, përfytyroni që bëra një xhiro në Tiranë, një shëtitje në qendër ku është jeta e natës dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar. Iu përgjigja po, mund ta përfytyroj sepse nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri. Ka vajza myslimane që vënë shami, por gra të mbuluara nuk ka. Pastaj më thotë që shkova në Ministrinë e Brendshme dhe flisnin anglisht. E merrni me mend zoti kryeministër flisnin anglisht në Ministrinë tuaj të Brendshme. I thashë, lëreni këtë se nëse jeni i befasuar deri në këtë pikë, gjithçka do të jetë surprizë për ju. Nuk e di nëse prisnit të gjenit një kryeministër të gjatë 2 metra në Shqipëri, por le t’i lemë këto, të vazhdojmë më tej dhe t’ia tregoni të gjitha këto publikut tuaj sepse publiku juaj, njerëzit që kanë nevojë t’ju dëgjojnë ju. Po, po më tha do ta bëj një gjë të tillë. Edhe meqenëse nuk isha i sigurt që do ta bënte një gjë të tillë, i thashë ambasadorit, ndiqe pak se çfarë do të thotë ky tipi kur të kthehet. Ai nuk tha gjëra të shëmtuara si ato që thoshte përpara se të vinte sepse kishte ardhur për të luftuar të keqen në vendin e tij, por nuk tha asgjë nga e gjitha kjo.

Unë i kalova një mesazh përmes ambasadorit dhe i thashë, Kryeministri u gjend shumë i befasuar madje shumë më tepër se ju kur erdhët në Shqipëri sepse nuk thatë asgjë nga e gjithë kjo. Përgjigja e tij, është e rëndësishme për këtë çështje, më thotë, më përshëndesni atë kryeministrin e madh, unë jam i sigurt që inteligjent siç është do ta kuptojë. Kjo është politika. Sigurisht kjo nuk është politika dhe nuk është arsyeja pse unë, ndoshta jo të gjithë, por pothuajse të gjithë ju bëni politikë, por të mendosh që kjo është politika, të kesh aftësinë institucionale për të të bërë politikë në ato nivele në këtë drejtim mund t’i bëhet dëm njerëzve, mund t’i bëhet dëm komuniteteve të tjera dhe vendeve të tëra. Ky është muri që ne duhet të shembin në Europë si shqiptarë dhe Ky mur është një arsye tjetër për të cilën ne jemi gjithmonë mirënjohës Italisë, atyre që kanë udhëhequr qeveritë italiane pavarësisht nga ngjyrat politike dhe hakmarrjet e brendshme. Kanë qenë ata që kanë thënë gjithmonë atë që ne do të kishim thënë po të kishim qenë atje në vend të tyre. Italia është avokatja jonë në të gjitha sallat kur Shqipëria është nën akuzë”, tha Rama.