Kryesore Rama shkarkon Ahmetajn, emëron Ballukun zv/kryeministre

Rama shkarkon Ahmetajn, emëron Ballukun zv/kryeministre

Një ditë pas betimit të Presidentit të ri Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshimet në qeveri.

Teksa e cilëson krizën energjetike si sfidën më kolosale të kësaj periudhe, numrin dy në qeveri ka vendosur t’ia besojë Ministres për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku, duke shkarkuar nga kjo detyrë zv/kryeministrin dhe Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin”.

Sakaq, në kuadër të procesit të integrimit dhe negociatave me Bashkimin Europian, kryeministri Rama ka emëruar kryenegociatore Majlinda Dhukën, në vend të Zef Mazit. Dhuka, e cila aktualisht mban pozicionin e Drejtores për Politikat e Zhvillimit dhe Financimet e Ndihmës së Huaj në Kryeministri është emëruar gjithashtu edhe Ministre Shteti pranë kreut të qeverisë.

“Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore dhe Ministre Shteti pranë kryeministrit. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar, një vit pas fitimit të mandatit të tretë nga Partia Socialiste, duhet të kalojnë në parlament përmes një seance të posaçme, pasi të dekretohen edhe nga Presidenti Bajram Begaj, i cili do të hedhë firmën e parë si kryetar i ri i shtetit.