Kryesore Rama shpjegon çfarë janë patronazhistët dhe i jep një mesazh Metës: Ne...

Rama shpjegon çfarë janë patronazhistët dhe i jep një mesazh Metës: Ne iu njohim kush jeni

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinjtë në Tiranë ka komentuar debatin e hapur së fundmi për patronazhistët e partive politike. Rama duke iu drejtuar Presidentit Ilir Meta, tha se patronazhistëve t’u marrin të keqen.

Në mesazhin drejtuar Metës, Rama tha: “Mos e çoni ndërmend që patronazhistëve t’u fshihni mendimet tuaja, pasi më 25 prill do ta shihni që do t’ju mundim”.

“Mesazhi im për Metën: Patronazhistëve t’u merrni të keqen dhe mos harroni asnjëherë: patronazhistët ju njohin kush jeni. As mos ta çoni nëpër mend se patronazhistëve tanë ua fshihni mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25 prill do ta shikoni sa mirë ju njohim ne juve. Edhe juve do të habiteni se kur votat të fillojnë të numërohen, do ta kuptoni pse ne ju mundim dhe do t’ju mundim sepse PS që ta merrni vesh mirë ju, nuk është Edi Rama. Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë. Patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta, as Hummer, Bentley, Ferrari, se unë s’di më shumë se kaq nga makinat, as me Lamborgjini, as me Lamborluli as me Lambormoni”, tha Rama.

Duke shpjeguar termin patronazhist, që sipas Ramës është huazuar nga SHBA, ai tha se patronazhisti është klasa e parë për të vijuar karrierën politike: “Në këto ditë fjala patronazhist është lakuar shumë, por prej disave kuptohet si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë nëpër Tiranë dhe që vëzhgon e monitoron njerëz. Patronazhisti nuk është një figurë që u shpik në Shqipëri dhe e krijuam ne. Patronazhisti është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës: Partisë Republikane e Demokrate në SHBA. Angazhohet që aty ku jeton të trokasë në ato dyer ku i kërkohet dhe të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka nga ata që kontaktohen, majtas, djathtas, të lëkundur, të papërcaktuar a të përcaktueshëm. Le të thonë ç’të duan ata, se ata atë punë kanë, por patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike ku, kush ka ambicie, dëshirë, vullnet e këmbëngulje për të shkuar në klasat më të larta, e fillon nga patronazhimi, dikush mund të jetë 60 vjeç dhe vazhdon të jetë partronazhist si aktivist i familjes së madhe politike”.