Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren Delina Ibrahimaj, kanë zhvilluar një vizitë në kompaninë e teknologjisë dhe informacionit “RiTech”. Kjo kompani punon për Amerikën dhe Evropën, në të cilën janë punësuar 300 shtetas në Shqipëri, 200 në Kosovë e Maqedoni të Veriut, me një pagë mesatarisht prej 2500 euro, siç njofton kryeministri.
Theks të veçantë u vendos në zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe informacionit në vend, një shtyllë kjo kryesore e cila është gjithnjë e më shumë në përmirësim në vendin tonë.
Ministrja Ibrahimaj sqaroi se arsyeja përse po vizitojnë këtë kompani vjen për shkak se është një shembull konkret i punës së kësaj qeverie për të rinjtë dhe sektorin informativ.
“Kompania është themeluar në vitin 2016. Janë çuna e goca të reja, mosha mesatare 30 vjeç. Zgjodha të vinim këtu se është një shembull konkret si është zhvilluar sektori i teknologjisë dhe informacionit në Shqipëri. Paga mesatare është 2500 euro mesatarisht. Bëhet fjalë për një punë shumë të mirëpaguar, për një kompani që prodhon, prodhon dije, eksporton, zbulon talente. Një shembull që ne me shumë krenari e lexojmë. Është një sektor që e kemi nxitur ne”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Kryesocialisti u shpreh se dëshiron të bashkëpunojë me kompaninë RiTech, lidhur me sistemin e parkimeve në vend, pasi parkimi është problematikë e theksuar. Rama tha se dëshiron që me aplikacionin “pay by phone”, përmes inteligjencës artificiale të ketë dhe një sistem kamerash që lehtëson në gjetjen e vendeve të parkimit, ashtu sikurse njofton dhe uniformat blu për zënien e hapësirës nga një automjet të caktuar.
Një synim tjetër është që përmes kësaj teknologjie, të arrihet parashikimi i aksidenteve, por dhe i krimeve.
“Ne do bëjmë një projekt që e kemi gati, i financuar e të gjitha, me Emiratet e Bashkuara për smart monitor. Do kemi praktikisht një super informacion nga gjithë lëvizja në qytet. Po mendoj se mbase duhet një bashkëpunim me ju këtë pay by phone, të integrohet me kamera, që të shfrytëzohet e nga policia… duke pasur në dispozicion këtë sistem kamerash me AI, mund të krijosh shumë të dhëna. Ti krijon një bazë që ti e paralajmëron “law enforcements”. Nuk pret që këtu është zënë, por ti e lajmëron që është e zënë (vendi parkimit).
Ti me AI krijon një kapacitet të dhënash që ty të japin pak nga pak, por jo shumë vonë, me një kohë të arsyeshme, që ti të mund të vendosësh përpara se ku mund të ndodhë shkelja. E për ta çuar një hap më tutje, ne me ju mund të shohim, parashikimin e aksidenteve. Pra krijon një bazë, e ajo me data fillon të krijon probabilitetet. Ti fillon jep “law enforcements” që të analizojë pse do ndodhë këtu, çfarë rrethanash janë specifike që ndodh këtu e jo atje. E për ta çuar në nivelin më ekstrem, që të parashikosh krimet. Po të kesh një patern fillon e bën analiza të një natyre tjetër.”, tha Rama.
Rama tregoi edhe idenë që Shqipëria të jetë bashkëfinancuese, e start up-it më të ri të Mira Muratit në fushën e inteligjencës artificiale quajtur, Thinking Machines Lab, iniciativë e cila ka tërhequr një interes dhe vëmendje botërore.
“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër. Më tha se janë tre shtete që më kanë bërë ofertën. Ka ardhur koha që të hyjmë në këtë lojë, se edhe në rastin tonë me kompanitë tona, edhe start up-i është i mirë për të ndihmuar në fazën A kur tjetri s’ka asnjë gjë dhe vetëm një ide. Ne të bashkëpunojmë, që të keni një produkt që mund ta përdorni ku të doni. Dhe në fund fare shteti kushton më pak. I thashë që do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Kujtoi se po bëja humor. I thashë e kam seriozisht. I thashë mesa kuptoj unë se ti mund të na ndihmosh të futemi në BE më shpejt. Pjesa që ti s’ke nga ikën fare me BE është merr 250 mijë faqe, ktheji dhe silli këtej. Edhe ne kështu ishim përgatitur, të gjithë vendet kur fillojnë negociatat bëjnë një ushtri me përkthyes. E dyta i thashë do ta ndihmosh Shqipërinë të luftojë korrupsionin? I thashë prokurimet. Ne kemi krijuar një sistem që termat e referencës nuk mund t’i hedhësh më në publik pa kaluar te agjencia e Prokurimit Publik, por prapë është manuale. Kemi filluar ne me këtë“, tha Rama.
Shqipëria është duke përdorur inteligjencën artificiale në përkthimin dhe njësimin e legjislacionit europian në kuadër të çeljes së grup kapitujve.
Rama ka treguar se ishte ai i cili i telefonoi Mira Muratin për ti kërkuar ndihmë në këtë proces.
Ky bashkëpunim i nisur me zonjën Murati sipas asaj që deklaroi sot Edi Rama synohet të ëohet përpara përmes një financimi të mundshëm të Thinking Machines Lab e kështu vendi ynë të bëhet bashkaksioner në këtë platformë.