Kryesore Rama: Sigurimi i vaksinave, ëndrra që më lë natën pa gjumë

Rama: Sigurimi i vaksinave, ëndrra që më lë natën pa gjumë

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se shumë shpejt në Shqipëri do të vijnë sasi të mëdha dozash vaksinash. Edhe pse nuk tregoi detaje nga negociatat që janë bërë dhe sasitë që do të vijnë kreu i qeverisë tha se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria të ketë vaksina që do të mundësojnë vaksinim masiv.

Po ashtu ai u shpreh se sigurimi i vaksinave është ëndrra që e lë atë çdo natë pa gjumë.

“Unë jam shumë shpresë plot që nuk është e largët dita që do të kemi një sasi të madhe vaksinash që të kemi një vaksinim masiv për të pasur një sezon të lehtësuar veror. Nëse realizojmë një vaksinim masiv në Mars, Prill e Maj, do të kemi një sezon turistik ndryshe nga ai që kishim. Me fillimin e vaksinimit të bluzave të bardha dhe të moshuarve ka nisur një mbrojtje.

Me volumet e vaksinave që kemi siguruar do të kemi proces të ngadalshëm vaksinash, por sigurimi i dozave të vaksinave është ëndrra që më lë mua pa gjumë. Por shumë shpejt do të kemi një sasi vrastare vaksinash për virusin”, tha Rama.

Deklaratat e Kryeministrit janë bërë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Lezhë.