Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbërritur në Mynih të Gjermanisë, në Konferencën e Sigurisë.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale disa pamje ku shfaqet në krah të Kryeministri të Bavarisë njëkohësisht edhe kryetari i CSU, Markus Söder.
Ai e cilësoi atë si një mik të Shqipërisë që i lidh një miqësi e hershme.
“Bayerische Hof, Mynih – Në mjediset e Konferencës së Sigurisë me Markus Söder, kryetar i CSU dhe Kryeministër i Bavarisë, një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin na lidh një miqësi e hershme tanimë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama do të bëhet pjesë e disa diskutimeve të cilat do të jenë në bazë të fushës së sigurisë kibernetike dhe asaj globale.
Rama do të jetë edhe pjesë e panelit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme” bashkë me kancelarin e Austrisë dhe ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite.
Gjithashtu do të jetë i pranishëm edhe në panelin me temë “Zgjerimi i BE” së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola dhe Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos.