Politika Rama tallet me Bashën: Nuk ndryshon qeveria me himnin stonaturë

Rama tallet me Bashën: Nuk ndryshon qeveria me himnin stonaturë

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën që sipas tij shpërtheu në festë, kur Holanda vendosi për rikthimin e vizave për Shqipërinë.

“Ajo që është e pagëlltitshme është festa në Tiranë e atyre që për shkak se janë të dominuar nga urrejtja, kanë humbur logjikën, kanë humbur pikat referimit te disa vlera që politika shqiptare edhe në ditët më të zeza i ka ruajtur kur ka qenë fjala për një temë kaq të madhe sa është ajo e integrimit, një festë e neveritshme që i drejtoi të gjithë tytat e topave për fishekzjarrë e kapsolla në shtëpitë e shqiptarëve duke e transformuar atë në një tjetër argument, të një lufte të dëshpëruar në Tiranë që do të katandiset keq e me keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen ti vënë zjarrin jo institucioneve, por ardhmërisë së vendit, shpresave dhe perspektivës së vendit, vetë vendit”, tha ai.

Kryeministri ka ironizuar me Lulzim Bashën, duke thënë se nuk e ndryshon dot qeverinë, me kapsolla apo duke kënduar himnin stonato.

“Si mundet që bëni vetëm thirrje për zjarr, sherr, shporrje, vdekje. Është momenti për tu thënë shumë miqësisht, vëllezërit, atyre që kanë njëmijë e një arsye që nuk e duan këtë qeveri.

Nuk e ndryshojnë qeverinë me kapsolla dhe duke kënduar himnin stonato, sado stonata ta këndojnë qenëria nuk lëviz, duke kërcënuar, penguar, bllokuar, shantazhuar, nuk e ndryshojnë dot qeverinë”, tha Rama.