Kryesore Rama: Të gatshëm të ulemi me PD-në, por nuk mund të presim...

Rama: Të gatshëm të ulemi me PD-në, por nuk mund të presim që Basha të zgjohet nga gjumi

Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se është i gatshëm të ulet në tryezë me Partinë Demokratike për të zgjidhur krizën, por thekson se populli ka votuar dhe kjo qeveri është e dënuar të udhëheqë.

“Unë mendoj se vendi nuk ka vakum, pasi Kuvendi funksionon. Ne po i çojmë përpara reformat dhe besoj se me prioritetet që kemi caktuar do t’i japim një shtysë shumë të fortë. Sigurisht që do të ishte mirë që PD të ishte në parlament, ky është një vendim që ka treguar se ka dëmtuar rëndë këtë parti, por nuk është se e ka cenuar vendin në pikën e mosfunksionimit. Nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojmë, reflektojmë, por ne jemi të votuar, të dënuar të udhëheqim. Nuk mund të presim që dikush të zgjohet nga gjumi dhe të përfundojë shtriqjen para se të shkojë në punë”, tha Rama.

Kryeministri u pyet edhe për situatën në tre bashkitë, të cilat janë pa kryetar, duke thënë se nuk ka një komunikim me presidentin Ilir Meta për këtë, ndërsa veçoi bashkinë e Shkodrës. “Ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësinë normale të qeverisjes. Praktikisht kemi dy vakanca. Sa i përket Shkodrës nuk ka një vendim dhe për fat të keq Shkodra është në situatën më të rëndë, pasi ka një kryetare që nuk është kryetare. Por kjo nuk është në dorën tonë dhe nuk kemi si e zgjidhim, por presim të marrim një zgjidhje”, tha Rama.