Politika Rama: Tërmeti dhe pandemia thyen në mes mandatin e dytë

Rama: Tërmeti dhe pandemia thyen në mes mandatin e dytë

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për planin e socialistëve për rindërtimin e vendit pas goditjes nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Në aktivitetin politik që i paraprin zgjedhjeve të 25 Prillit, Rama foli për tërmetin shkatërrimtar dhe për pandeminë e Covid-19, dy fenomene negative për të cilat thotë se kanë thyer në mes mandatin e dytë të kësaj qeverie dhe kanë përmbysur planet e socialistëve.

E duke folur në këtë aspekt, Rama përmendi figura letrare kur tha se këto dy ngjarje të mëdha do të kishin rrëzuar përtokë edhe “një elefant” e jo më qeverinë shqiptare.

“15 muaj më parë ne u zgjuam nga një tronditje e jashtëzakonshme që lëkundi themelet e shtëpive tona dhe që ngjalli ankthin e madh të asaj çka kishte ndodhur rreth nesh. Shumë shpejt mësova që diku pranë, Durrës, tërmeti i 26 Nëntorit kishte goditur shumë fort dhe pastaj minutë pas minuti informacioni shtrihej duke krijuar një perimetër që sot është perimetri brenda të cilit ne po kurojmë pa pushim plagët e mëdha të hapura atë natë. Nuk janë ende 8 vite sepse ne kemi hyrë në zyrë në gjysmën e dytë të Shtatorit të vitit 2013, por ky mandat ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeveri shqiptare pasi është thyer në mes nga tërmeti dhe nga pandemia. Është thyer në mes duke përmbysur të gjitha planet tona duke përmbysur të gjithë kalendarët e punës sonë, prioritetet dhe duke e kthyer vëmendjen në dy drejtime që na kanë vënë përballë dy sfidave të jashtëzakonshme. Dy goditje që do kishin rrëzuar një elefant e jo më një qeveri të Shqipërisë me fuqitë dhe mjetet e kufizuara që ka. Dy sfida që askush tjetër nuk do mund t’i përballonte me forcën, me vullnetin dhe dinjitetin që po i përballojmë ne. Kur jam përgjigjur pyetjes se ku do i gjesh paratë, ka qenë një fjalë e dalë nga zemra por realisht një fjalë që mendja nuk arrinte dot ta mbështeste në argumente. Ka qenë një fjalë e thënë nga pasioni dhe barra e jashtëzakonshme e detyrimit për ata mijëra njerëz të mbetur pa strehë në vetëm pak minuta. Kam marrë rrugën dhe kam bërë me dëshirën dhe vullnetin më të fortë lypësin, kudo ku kam mundur duke trokitur në të gjitha dyert e mundshme”.