Politika Rama, tjetër ftesë Bashës: Bashkë për hir të njerëzve

Rama, tjetër ftesë Bashës: Bashkë për hir të njerëzve

Kryeministri Rama e nisi mbledhjen e mëngjesit të qeverisë duke i drejtuar një tjetër ftesë kreut të opozitës Basha, për t’u ulur bashkë në sfidën e vështirë të menaxhimit të krizës.

Orë pas refuzimit të kryeopozitarit, me pretendimin se oferta për bashkëpunim ishte politikë e propagandë, Rama iu përgjigj duke thënë se “nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë”, tha Rama.

“Nuk dua të bëj asnjë polemikë por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza, ata që nuk e shohin dot njeri-tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllon si hipokrizi ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë”, deklaroi shefi i qeverisë.