Kryesore Rama tregon arsyet pse do zhvendoset porti aktual i Durrësit

Rama tregon arsyet pse do zhvendoset porti aktual i Durrësit

Kryeministri Edi Rama ka treguar disa nga arsyet se përse do të zhvendoset porti aktual në qytetin e Durrësit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama u shpreh se porti nuk mund të qëndrojë në zemrën e një qyteti turistik, ku ndot ajrin, shkatërron akustikën dhe ku nuk ka mundësi zgjerimi.

Ndër të tjera, Rama nuk kurseu edhe akuzat ndaj opozitës, e cila e kundërshton projektin.

“Çdo punë, çdo punë që ne nisim, këta e pagëzojnë si aferë të madhe, fisi Gagaçopoli. Njëri nga ufot, me buzët që i janë njollosur brisk nga urrejtja gërryese e 110 vjetëve dhe me sytë e zbardhur nga një helm i pakurueshëm në gjak, i cili e bën show-n në çdo shpresë të re, një aferë të madhe. Një shpresë për përmbysje me dhunë të regjimit, lebetitej sesi mund të hiqej që aty porti më i madh i vendit.

Epo pikërisht edhe për atë hiqet aty, sepse është porti më i madh i vendit dhe nuk mund të rrijë në zemrën e një qyteti turistik, ku jo vetëm ndot ajrin, ku jo vetëm shkatërron akustikën, ku jo vetëm degradon panoramën e qytetit mikpritës, por kur nuk ka edhe asnjë mundësi zgjerimi. Prandaj do ikë që aty, për t’ia përshtatur pikërisht kohës së sotme, jo vetëm për turizëm, por për të qenë porta më e rëndësishme hyrëse nga deti, në ekonominë e krejt Ballkanit Perëndimor”, theksoi kreu i qeverisë.

Teksa u shpreh se është krenar për këtë port, që do të zhvillojë ekonominë e vendit, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se për ndërtimin e tij do të përdoren vetëm gjysma e 800 mijë metrave katrorë.

“Do të përdoren vetëm gjysma e 800 mijë metra katrorë, ndërsa gjysma tjetër, ajo zona që patë do jetë hapësirë e transformuar, përfshirë dhe 700 metra plazh që nuk ekziston sot. Sot ajo tokë është e ndotur, që i ngjan asaj vrimës që ju ngeli në dorë që kur ju doli gozhda. Mjedis europian, si kudo që ne vëmë dorë. Ka lloj-lloj ufosh, që kanë hedhur dokrra në një vorbull maskarallëqesh. Por çdo punë që nisim e pagëzojnë së aferë të madhe. Fisi gagaçopulli, është fis i pakurueshëm në gjak. Nuk pres mirëkuptimin e fisit gagaçopulli. Ndaj do të ikë që aty për t’ju përshtatur kohëve të sotme, ambicieve të Shqipërisë në shekullin e XXI”, tha Rama.