Kryesore Rama: Trump më tha “Albania is doing pretty good”

Rama: Trump më tha “Albania is doing pretty good”

“Shqipëria po bën një punë mjaft të mirë”… Kështu i ka thënë Presidenti amerikan Donald Trump Kryeministrit Edi Rama, sipas këtij të fundit, në takimin që të dy patën në Nju Jork, në punimet e Asamblesë së OKB.

“Patëm një bisedë të shkurtër, por të këndshme dhe të mjaftueshme për t ëkuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese, sepse të dëgjosh nga goja e vetë presidentit që “Albania is doing prety good” është kënaqësi”, u shpreh Rama.

Rama tha se çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë, ku do të duhen të përmbushen shumë më tepër kushte se ato të vendosura nga Bundestagu. “Është gjëja më normale, duhet të mësohemi tash e tutje se me çeljen e negociatave duhet të përmbushim qindra, në mos mijëra kushte, në çdo aspekt, që janë për të mirën tonë. Kushtet e miratuara nga CDU/CSU janë për të mirën tonë, jo të CDU-së. Jam shumë i inkurajuar nga kjo, i jam shumë mirënjohës Kancelares (Angela Merkel)”, tha Kryeministri.

Duke folur për reformën zgjedhore, Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin se nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, por ato do të mbahen në vitin 2021. “Dua thjesht të them se tanimë është e qartë se na duhet të përshpejtojmë procesin e reformës, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ne do të ecim me to. Me gjithë respektin për të gjitha idetë, dëshirat, ëndrrat e gjithsecilit, ne procesin do ta respektojmë. Por ne jemi partia e shumicës, kemi edhe ne idetë tona. Por në raport me BE dhe zgjedhjet e ardhshme, këto janë të domosdoshme. Edhe ne kemi një ide që do ta çojmë deri në fund, që është vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, por kjo i mbetet pjesës së dytë të procesit, përpara zgjedhjeve të ardhshme, që janë në vitin 2021. Por nuk kam për të pranuar asnjëherë përkthyes të huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët”.