Aktualitet Rama: Uroj që Tahirin të mos e kem pishmanin e jetës sime...

Rama: Uroj që Tahirin të mos e kem pishmanin e jetës sime politike

Në kohën që ish-ministri i Brendshëm përgjatë mandatit të parë, Saimir Tahiri përballet me akuza për trafik droge, kryeministri Edi Rama uroi që deputetin socialist të mos e ketë pishmanin e jetës së tij politike.

“Për sa kohë pyetja a është i pafajshëm Saimir Tahiri, të mbetëset në pritje të përgjigjes, unë dua të shtoj këtu se uroj, e uroj me të gjithë qenien time që të mos e kem pishmanin e jetës time politike, gjithçka i kam dhënë dhe gjithçka kam marrë nga Saimir Tahiri, që në kohën kur ai hyri në Partinë Socialiste, me vite të tëra energjish të shkëmbyera, beteja të bëra së bashku dhe sakrificash të kaluara sëbashku.”

Lidhur me mbështetjen që i ka dhënë Saimir Tahirit në vite, Rama tha se “e kam bërë pa dyshuar kurrë në integritetin e tij, për qëllimin e madh që kishim bashkërisht në betejën e një fronti të vështirë, për pasionin që un kam për të ndryshuar Shqipërinë dhe policinë e shtetit. E kam bërë me mish e me shpirt, pa shkëmbyer kurrë asnjë favor tjetër. A jam pishman sot? Jo. Në asnjë mënyrë nuk jam dhe s’kam si të jem pishman.”