Kryesore Rama uron Kadarenë dhe falenderon Macron që “çmoi në këtë ditë të...

Rama uron Kadarenë dhe falenderon Macron që “çmoi në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar”

Kryeministri Edi Rama ka uruar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare për vlerësimin nga Franca me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Rama falenderon edhe presidentin e Republikës Franceze, i cili çmoi lart në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar që i përket Francë e krejt botës, me plot meritë.

Postimi i Ramës:

Ismail Kadare shkruan diku, se “në ndryshim nga pasuritë materiale që çdo vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore u binden të tjera ligjeve. Nuk ka popull që të krijojë të tilla vetëm për vete”.

Urdhëri Kombëtar i Legjionit të Nderit, themeluar nga Napoleon Bonaparti më 1802, duket sikur e ka në gjenezën e vet çka shkruan Ismaili mbi “ligjet e tjera” dhe edhe pse specifikisht frëng, ai urdhër botërisht i mirënjohur e admiruar, i përket tërë botës.

Nën ato “ligje”, prej mëse 23 vitesh Franca e ka adoptuar e ngjitur shkrimtarin shqiptar në shkallët e shoqërisë prestigjoze kalorsiake të Legjionit të Nderit, ku ajo rradhit ata që më fort respekton në këtë rruzull. Dhe sot Ismail Kadareja është ngjitur në shkallën e Oficerit të Madh të këtij urdhëri – kështu ai bëhet pjesë e një rrethi fare të ngushtë personalitetesh me këtë titull, në mbarë botën.

Më 1802 themeluesi i Legjionit të Nderit, Napoleon Bonaparti, shprehej: “Duhet krijuar një urdhër që të shenjoje virtutin, nderin dhe heroizmin, një shquarësi që të shpërblejë bravurën dhe përmbledhë në rrethin e vet, elitën e kombit”. Një urim të përzemërt Ismailit dhe një falenderim Presidentit të Republikës Franceze, i cili çmoi lart në këtë ditë të parë të dekadës së re një shqiptar që i përket Francë e krejt botës, me plot meritë.