Aktualitet Rama vizitë në familjen e Arjan Salës, dorëzon titullin “Dëshmor i Atdheut”

Rama vizitë në familjen e Arjan Salës, dorëzon titullin “Dëshmor i Atdheut”

Kryeministri Edi Rama shkoi këtë të hënë në familjen e Arjan Salës, rojes së sigurisë i cili humbi jetën nga zjarri i rënë të mërkurën e shkuar, në magazinën e një qendre tregtare në kryeqytet.

Kryeministri i dorëzoi familjes së 32-vjeçarit titullin “Dëshmor i Atdheut”, i cili u firmos më herët nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ky është momenti prekës kur babai i 32-vjeçarit Arjan Sala, mes lotëve merr titullin “Dëshmor i Atdheut” nga Kryeministri Edi Rama.

“Shumë keqardhje… Sidoqoftë duhet të jemi krenarë për të, sepse ka shpëtuar shumë njerëz. Ka bërë vërtetë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë për kohët që jetojmë. Natyrisht që jeta nuk ka çmim, nuk kthehet, por sidoqoftë ne menduam që detyra jonë është që ta nderojmë dhe ta vlerësojmë dhe vendosëm që ta shpallim “Dëshmor të Atdheut” dhe ta mbështesim sa kemi mundësi familjen e tij. Ligjërisht i takon një pension i veçantë, por ne vendosëm që t’i japim një shumë direkte familjes. Të gjitha këto janë më shumë për respekt sesa bëjnë ndonjë ndryshim”, tha kryeministri Rama.

Në foto: Babai, nëna dhe bashkëshortja e Arjan Salës

Teksa e falenderoi, babai i 32-vjeçarit, Fadil Sala, mes të tjerash u shpreh: “Nuk mund të flas asgjë, nuk më hiqet asnjë sekondë nga mendja… shkoi nxori ata, 15-20 vetë u kthye për të parë prapë dhe ngeli brenda…”

Arjan Sala, u shua në moshën 32-vjeçare pasi shpëtoi nga flakët të paktën 20 punëtorë të tjerë. I riu punonte si roje sigurie në një qendër tregtare në kryeqytet, aty ku të mërkurën e shkuar, flakët që përfshinë një magazinë i morën atij jetën.

Arjan Sala la pas bashkëshorten dhe një fëmijë të vogël.