Politika Rama: Von der Leyen ka një strategji konkrete për çeljen e negociatave

Rama: Von der Leyen ka një strategji konkrete për çeljen e negociatave

Kryeministri Edi Rama u takua mbrëmjen e së martës me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Takimi me zyrtaren e lartë të BE-së zgjati mbi dy orë, ndërsa kreu i qeverisë ka treguar sot përmes një videomesazhi se për çfarë u bisedua.

Tema e parë mes kreut të ekzekutivit dhe Presidentes së KE-së ka qenë adresimi i problematikave pas tërmetit të 26 Nëntorit me në fokus Konferencën e Donatorëve.

“Më vjen shumë mirë të ndaj me ju një ndjesi pozitive që kam nga vëmendja e veçantë dhe rëndësia që Presidentja e KE-së i ka kushtuar qysh ditën e parë të tërmetit në vijimësi të të gjitha aspekteve të këtyre problematikave. Takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim i gatishmërisë së plotë dhe angazhimit konkret të saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit serioziteti me të cilin po organizohet Konferenca e Donatorëve, pavarësisht se ne e dimë që shuma që do të mbushet në këtë konferencë nuk do t’i mbushë të gjithë nevojat, plani i Presidentes Von der Leyen shkon përtej konferencës. Edhe më tej do vazhdojmë të punojmë sëbashku”, tha Rama.

Tema e dytë për diskutim mes Ramës dhe Von der Leyen ka qenë procesi i integrimit.

Rama thotë se “është e sigurtë se Presidentja e KE ka një strategji konkrete për objektivin e çeljes së negociatave. Është po kaq e sigurtë se përsëri sidoqoftë fati i vendimit mbi çeljen e negociatave, do të varet nga ecuria e debatit të brendshëm të BE-së mbi vetveten dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit”.

Sot në cilësinë e kryetarit të OSBE, kryeministri Rama do të pritet në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg si dhe me Këshillin e Atlantikut të Veriut.