Kryesore Rama: Votën e 2017-s nuk e luan as topi, jo më Luli

Rama: Votën e 2017-s nuk e luan as topi, jo më Luli

| Nga American Eye
Shpërndaje

Një ditë para protestës, që opozita ka thirrur përballë zyrës së tij në Tiranë, Edi Rama garantoi socialistët nga Berati se qeveria nuk bie me akte dhune, por ajo që rrezikon të dëmtohet është imazhi i vendit, ekonomia dhe xhepi i qytetarëve.

“Kjo punë nuk ka asnjë mundësi të mbarojë me prekjen e një fije floku të shumicës qeverisëse. Kush fiton këtu? Ata që i kanë hyrë atij deti as në këmbë, por zvarrë? Ata, jo. Janë të humbur dhe vetëm humbasin”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri pohoi se qeveria ka për detyrë të vazhdojë të drejtojë vendin, duke respektuar mandatin e marrë nga shumica e qytetarëve në zgjedhje.

“Votën tuaj të vitit 2017 nuk e luan topi, jo Luli”, tha Rama.

Referuar zgjedhjeve të ardhshme vendore, ai tha se vota do ta detyrojë opozitën të dorëzojë bashkitë e Beratit, Kuçovës dhe Skraparit.

“Do t’i dorëzojnë paqësisht. S’do të hyjnë në zgjedhje? Unë them që do të hyjnë, por edhe po nuk hynë, ç’problem ka? Ne i kemi ndarë gjërat: Luli me Monikën dhe Monika me Lulin, ne me njerëzit dhe njerëzit me ne”, deklaroi kryeministri.

Me tone ironike, Rama komentoi edhe akuzat e opozitës për blerje votash.

“A e mban dot Shpiragu në kurriz klithmën e Monikës: O Zot mbroji shqiptarët nga blerja e votave? Zoti thotë: Më mirë s’po ndërhyj në çështjet elektorale të shqiptarëve, se i bie të mbrojë shqiptarët nga Monika. Kapa Shpiragun, se po të kthehemi te mali i Tomorrit i bie të ngjallet Abaz Aliu të luftojë me të gjitha fallxhoret e Monikës”, u shpreh kryeministri Rama.

Edhe në Berat, Rama kërkoi ndihmën e grave.

“Ju e keni në dorë edhe shtëpinë, edhe ekonominë, edhe të gjitha. Burrat socialistë edhe e bëjnë ndonjë punë, ndërsa burrat demokratë vetëm për punë nuk i ke. Shikojini, punë së prapthi është ajo, por edhe punë së prapthi nuk e bën Luli, e bën Monika. Të ishte për Lulin, e kishte mbyllur dhe ia kishte futur gjumit deri në 2021-shin”, tha Rama.