Kryesore Rama zbardh planin: Unë do udhëheq protestën e studentëve dhe do e...

Rama zbardh planin: Unë do udhëheq protestën e studentëve dhe do e kap siç kam kapur të gjitha të tjerat

Pas mbledhjes së qeverisë Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për gazetarët ku njoftoi se brenda mesit të janarit do të bëhej publike pakti për universitetin, ndërsa lexoi dhe vendimet e qeverisë lidhur me tarifat e studentëve.

Pasi u tregua i prerë me gazetarët duke i kërkuar: “Bëni pyetje lidhur me temën jashtë teme nuk përgjigjem”, Rama bëri të qartë se as buxheti por as ligji i arsimit të lartë nuk do të preken.

Edi Rama: “Nuk ka nevojë për ndryshim buxheti. VKM janë bërë dhe financimi është garantuar. Financimi përkatës i tarifave do të jetë brenda fondit të arsimit dhe në vijim është parashikuar gjithçka.. Ata që kërkojnë ndryshim buxheti janë ata që nuk dinë ca kërkojnë, ose më saktë janë ata që duan që studentët të mos dinë ça kërkojnë ndërkohë që unë e di shumë mirë çfarë kërkojnë studentët e çfarë kërkoj unë në këtë proces. Patjetër është e llogaritur deri në qindarkën e fundit. Nëse jeni të interesuar do ju japim me shkrim. Nuk ka nevojë për ndryshime buxheti. Fondi është i garantuar. Studentët sipas të gjitha atyre që thashë nuk do shkojnë të paguajnë pjesën që i takon qeverisë.

Sa i takon planit, plani im është shume i qartë: Unë do të udhëheq protestën e studentëve, ju mund të qeshni, por shumë shpejt do shikoni se do të kap protestën siç kam kapur të gjitha të tjerat. Studentët kanë kërkuar gjëra të arsyeshme, por operacioni duhet të shkojë shumë më thellë dhe reforma do shkojë shumë më thellë. Kemi një bazë të padiskutueshme që është reforma e arsimit të lartë”.