Politika Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE, Rama: I gatshëm të ulem...

Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE, Rama: I gatshëm të ulem me Metën e Bashën

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje të gjitha palëve politike në Shqipëri, kreut të PD, Lulzim Basha e Presidentit Ilir Meta që të ulen në një tryezë ku të shprehin vullnetin e përbashkët për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, diçka që siç tha në Shqipëri duan të gjithë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE në vendin tonë, Luigi Soreca me rastin e Ditës së Evropës, kreu i qeverisë zbuloi edhe emrin e kryenegociatorit të Shqipërisë me BE, diplomati Zef Mazi.

“Ne po përgatitemi për negociatat dhe tani që kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare me BE, plani i punës është detajuar për muajt në vazhdim dhe duhet vazhduar hap pas hapi

Ne jemi shumë të angazhuar për t’u ulur në tryezë të gjerë me presidentin Meta, kreun e PD, Basha dhe me të gjithë aktorët e tjerë që janë përfaqësues të pavarur në një tryezë kur të shprehim vullnetin e përbashkët, secili duke bërë detyrat e veta dhe për të dhënë mesazhe të forta uniteti kombëtar në këtë proces, kur deri më sot kanë të gjithë të njëjtën mendje pro tij.

Dhe ndërkohë kemi ngritur grupin negociator, në krye të të cilit kemi zgjedhur një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka hezituar që kritikojë edhe qeverinë tonë, po kjo është një arsye më shumë për ta përfshire, personalitetin e diplomacisë shqiptare Zef Mazi”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga BE në drejtim të Shqipërisë për të përballuar situatën gjatë dhe pas pandemisë COVID-19 por nuk harroi të sillte në vëmendje solidaritetin e krijuar pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit teksa zbuloi se fondet e akorduar nga BE prej 100 mln euro, do të përdoreshin për rindërtimin e shkollave dhe restaurimin e monumenteve të kulturës.

Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca u shpreh se BE është në krah të Shqipërisë, duke qenë donatori më i madh për vendin në këto momente.

Soreca tha se BE ka caktuar 230 milionë euro për Shqipërinë, nga të cilat 4 mln euro janë dhënë menjëherë për mjekësinë, për pajisje për personelin shëndetësor ndërkohë që 45 mln euro të tjera janë gati për në muajin korrik e dedikuar për mbrojtjen sociale për shtresat më në nevojë.

“Do ketë edhe asistencë në planin e investimeve për të ndihmuar Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor për t’u rimëkëmbur.

Rimëkëmbja ekonomike duhet të shoqërohet me vazhdimin e reformave. Më 25 mars, në mesin e pandemisë, u mor vendimi historik për hapjen e negociatave, Shqipëria është në segmentin e fundit të udhëtimit, ndaj duhet të vijojë me reformat”, tha ambasadori.