Politika Rama zbulon në Parlament: Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim biznesmenin...

Rama zbulon në Parlament: Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim biznesmenin Becchetti

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar në Kuvend se drejtësia shqiptare ka shpallur në kërkim biznesmenin italian Francesco Becchetti. Ky shtetas ka hedhur në gjyq Shqipërinë në Arbitrazh, ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur ndaj tij një proces penal.

Rama ka deklaruar në parlament se Komisioni Hetimor për Becchetti-n nuk ka për t’u ngritur. Kjo pasi sipas tij, raporti të cilit i referohet opozita mbrohet nga konfidencialiteti dhe nëse publikohet dëmtohen interesat e Shqipërisë.

“Kjo që bëni u konsiderohet vepër penale sepse sipas Gjykatës, bërja publike e të dhënave konfidenciale me qëllim krijimin e panikut dhe dëmtimin e interesave të vendit për një çështje në proces, vendimi i cituar i referohet një vendimi konfidencial jo sipas nesh, por sipas gjykatës. Sesi u njoh në Prill opinioni nga një burim që mbulohet me konfidencialitet i akorduar nga gjykata ndërkombëtare, këtë e dini ju. Nuk e them për t’ju trembur, por përse nuk bëhet ky komision. Ju nuk shpjegoni burimin zyrtar publik. Ku është? Burimi zyrtar është gjykata. As në Prill 2021 dhe as sot, vendimi konfidencial.

E para është një proces penal në prokurorinë e Tiranës, në gjykim prej disa kohësh, ku pritet të thirren për të dëshmuar, dëshmitarë që prej disa muajsh kanë pasur vështirësi që të lokalizohen. Ky person që ju keni dalë edhe e mbroni është në kërkim. Ky person është në kërkim dhe e mbroni këtë njeriun në kërkim për të bërë politikë. Dhe harroni që gjithë këto detyrime të vendosura nga të tjerë jo nga ne janë detyrime për Republikën e Shqipërisë. Ju jeni qytetarë, jeni votues, jeni dhe humbësa në Republikën e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë është një, pavarësisht se ju donit të ngrinit një Republikë të re. Janë dy vendime në arbitrazh.

Ju doni që ta fusni hallin tuaj në një histori që është histori e Republikës së Shqipërisë me një të kërkuar duke përhapur një dokument që është i mbuluar nga konfidencialiteti. Duke shpifur që shteti shqiptar ka filluar të paguajë, krejtësisht i pavërtetë. Jo vetëm që doni një komision që shkel parimet kushtetuese, por përtej këtyre dëmton interesat e Shqipërisë. Po jua rikujtoj konfidencialitetin për këto vendime është detyrues për Shqipërinë. Komisionin në fjalë duhet ta harroni se komisioni në fjalë nuk bëhet”, tha Rama.