Politika Rama “zbulon” qëllimin e Metës: Do që të hedhë në erë zgjedhjet

Rama “zbulon” qëllimin e Metës: Do që të hedhë në erë zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama mendon se Presidenti Ilir Meta do të hedhë në erë zgjedhjet, me kërkesën drejtuar Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Është një përpjekje që përsëri tregon se ku do të dalë Ilir Meta. Do të dalë aty ku faktikisht deshi të dalë edhe më parë, të hedhë në erë zgjedhjet. Dëgjova zonjën që foli këtu përpara, që tha se ju po e bëni këtë se e dini që do humbni. Pra këta të gjithë dalin dhe thonë s’duhet ta bëjnë këtë se ne do të fitojmë më shumë. Ne do ta bëjmë këtë sepse me këtë fiton zgjedhësi”, tha Rama.

Rama deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të presin opinionin e Venecias.

“Opinioni i Venecias kërkohet “post factum”, ligji ka kaluar, Kushtetuta u ndryshua që në qershor. Tani kërkohet të ndalim gjithçka dhe të presim, por çfarë të presim? Opinioni i Venecias është i mirëpritur dhe do të diskutohet, por 25 prilli nuk pret më”, u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit u ndal edhe tek letra e dërguar nga disa eurodeputetët të PPE-së. Ai u shpreh se ata janë të keqinformuar, ndërsa mazhoranca që ai drejton po voton një ligj në interes të vendit.

Kreu i qeverisë nënvizoi se votuesit e PD-së, në zgjedhjet e ardhshme, “do ta japin votën për Lulin dhe mbrapsht do të marrin edhe Ilirin me Monikën”.

“Do të shkoni në zgjedhje si tek Vebiu dhe tek Sudja, Jep një merr dy. Do jepni votën për Lulin dhe do të merrni mbrapsht edhe dy të tjerë se aritmetika e Lulit është 1 dhe 1 bëjnë 3. Kjo është gjëja që po ju pret. Gjejeni mirë si do ta zgjidhni këtë dilemë. Nëse e keni, nëse s’e keni do e shikoni mbrapa se çfarë vjen kur PD bëhet bashkë me LSI-në”, tha Rama.