Kryesore “Rambot” pa lavdi të Zall-Herrit

“Rambot” pa lavdi të Zall-Herrit

Të kesh titullin Komando i ushtrisë, nënkupton jo vetëm aftësinë për luftë me teknika nga më ekstremet për mbijetesë dhe dëme, por edhe për të kryer krime. I thërrasin ndryshe edhe si “Rambo” apo personifikim i “Beretave jeshile”, por që tashmë emrin e tyre e kanë të lidhur me dosjet penale, hetimet, arrestimet dhe dënimet nga gjykatat.

Janë me dhjetëra rastet kur efektivë të forcave të Zall-Herrit, nga dalin edhe Komandot, kanë qenë në faqet e para të mediave si pjesë e kronikës. Vrasje, plagosje, grabitje, trafikim dhe deri tek terrorizmi dhe rekrutimi nga Shteti Islamik. Shumë prej tyre kanë qenë edhe me misione ndërkombëtare ushtarake të NATO-s në Afganistan, Irak apo Bosnjë.

Pjesa më e madhe me titullin ish-komando në kohën kur kanë ndodhur krimet, të larguar nga shërbimi për arsye të ndryshme apo mbarim i misioneve. Rasti më i fundit është grupi i ish-komandove në grabitjet e bujshme të parave të bankave nga 2015-2017, në aksin Qafë-Kashar-Rinas. Më poshtë rastet kur “Rambot” shqiptarë kanë rënë në byzylykët e policisë.

Komando që grabiti argjendarinë

Një oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando”, u arrestua më 17 shtator 2011 për grabitjen e 176 unazave dhe argjendarive prej floriri. Kujtim Çeliku, 33 vjeç, ishte një ushtarak i njohur për 5 misione të ndryshme në Irak e Afganistan. Krimet janë kryer në qytetin e Durrësit, ndaj një biznesmeni. Çeliku kishte udhëtuar nga Tirana për në Durrës për të kryer grabitjen e çantës së biznesmenit, që kishte mall me vlerë 3 mln lekë. Në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli. Në atë kohë, Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak dhe i vlerësuar në 2003 nga Presidenti me medalje, bashkë me të tjerët në batalion.

Oficeri që vrau të dashurin e nënës

Në 1 janar 2013, oficeri i forcave Komando në Zall-herr, Aldo Morina, akuzohet se vrau të dashurin e nënës së tij. Në qershor 2013, Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vjet burg, për akuzën e vrasjes së taksistit Mehmet Beqiri. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar u vendos ulja e dënimit me 8 vite burgim. Gjatë dëshmisë së dhënë Morina tha se e kreu krimin pasi viktima i dhunonte nënën. Prokuroria tha se vrasja është kryer pasi çifti kishte lidhje jashtëmartesore dhe kjo ka nxehur komandon që e vrau taksistin me armën e shërbimit.

Komandot që iu bashkuan ISIS-it

Në muajin mars 2014, u arrestua një grup me 9 persona të akuzuar për terrorizëm dhe lidhje me ISIS, rekrutim të shqiptarëve nëpër xhami të paligjshme dhe dërgimin e tyre drejt Sirisë për luftime. Në këtë listë, ku dhe 7 të tjerë ishin të arratisur, 4 prej tyre rezultuan forca ish-Komando të ushtrisë. Dhe nga këta deri tani 2 figurojnë të vrarë në Siri, edhe pse jo zyrtarisht. Bëhet fjalë për Diamant Rasha, ish-ushtar profesionist në Zall-Herr, i deklaruar i vrarë në dhjetor 2013 në Siri, Erjon Alinji, gjithashtu i vrarë në 2014 në Siri, Artur Balla, i kthyer nga Siria më 5 shkurt 2014 dhe Leonard Përlika, gjithashtu i kthyer nga Siria tre vjet më parë, që kanë shërbyer si ushtarakë në Zall-Herr.

Komandot e bombave me celular

Policia e Durrësit arrestoi më 15 korrik 2014 tre komando për veprën penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”. Të ndaluarit ishin Fran Kola, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj, të cilët montonin e tregëtonin mina me telekomandë. Gjinkolaj dhe Donaj rezultuan se ishin ushtarë profesionistë të ushtrisë dhe kishin njohje për minat me telekomandë dhe armatimet. Bombat shiteshin me 2 mijë euro copa. Sipas policisë, minat janë përdorur në disa atentate të ndryshme.

Ish-komandoja në vrasje

Gjykata e Tiranës dënoi më 17 shtator 2014 me 35 vjet burg ish-oficerin e Forcave të
Armatosura, Ndriçim Balla, për akuzën e vrasjes me dashje të Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2013, brenda një lokali bastesh, teksa objektiv ishte Fusha, por u vra aksidentalisht financierja e biznesit.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Elton Fusha, teksa shkak ishte borxhi 20 mijë lekë të reja që Fusha i kishte vëllait të Ndriçimit.

Oficeri i Forcave Detare në trafik droge

Në sajë të operacionit të koduar “Fast”, policia arrestoi Romin Davidhin, 28 vjeç, banues në Durrës, komando i Forcave Detare, si dhe Arjan Tabakun, 49 vjeç, banues në Krujë. Më 14 qershor 2016, në lagjen Nr.13, Plazh, të Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Fiat”, me targa AA799LB, me drejtues Tabakun, u gjetën rreth 10 kg hashash dhe një pistoletë.

Ish-komandoja Hasani, terrorizëm në Shqipëri-Izrael

Më 8 nëntor 2016 u arrestua në Dibër ish-komandoja që dyshohet se do kryente akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael që do zhvillohej vitin e kaluar në Shkodër. Policia dhe Prokuroria parandaluan aktin terrorist, duke kryer 4 arrestime në Shqipëri dhe 18 të tjera u bënë në Kosovë. Rezultoi se Hasani kishte qenë oficer ushtrie me mision edhe në Irak për 6 muaj. Pas misionit ishte rekrutuar si pjesë e grupit shqiptar të ISIS dhe luftoi për disa muaj në Siri dhe u kthye në 2013. Hasani akuzohet se përgatiste bombat me telekomandë, pasi kishte njohuri teknike për to. Ndërsa ishte edhe lidhje e Lavdërim Muhaxherit dhe Ridvan Haqifit, komandantëve të shqiptarëve të ISIS.

Memlikaj-Avduli, komandot grabitës bankash

Kushërinj mes tyre, ish-komando në Zall-Herr dhe në disa misione në Irak dhe Afganistan, Ditjon Memlikaj dhe Neim Avdulaj largohen pesë vite më parë nga shërbimi i ushtrisë për gradë dhe shkelje disiplinore. Avdulaj ka precedent penal edhe në Itali për kokainë më 2012. Memlikaj punësohet në “Rogate Security”. Të dy joshen nga ideja e grabitjes së parave të bankave që transportonte shoqëria private drejt Rinasit. Dhe më 3 dhjetor 2015 akuzohen se kryejnë grabitjen e parë dhe më 9 shkurt të këtij viti të dytën. Shuma e përgjithshme rreth 7 mln euro, shumë herë më shumë nga rrogat e tyre kur ishin komando. Arrestohen si pjesë e grupit të grabitjeve katër ditë më parë.